Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me nënkryetaren, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, pritën sot në takim Ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një njoftimi nga VV-ja, ky takim ishte me karakter njoftues, në të cilin u bisedua për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, çështjet aktuale të demarkacionit me Malin e Zi, marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit perëndimor e posaçërisht ato me Serbinë, rimëkëmbjen ekonomike të vendit me qëllim të zbutjes së papunësisë dhe sigurimit të mirëqenies sociale.
“Me këtë rast, kryetari Kurti e njoftoi ambasadoren me qëndrimet dhe alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje për shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftim.
Të dy palët shprehën interesimin për takime të tjera në të ardhmen dhe nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në shumë fusha, përfshirë këtu arsimin ku Finlanda është lidere.