Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant Sylejman Selimin, i cili u lirua me kusht nga paneli i lirimit me kusht, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Në vendlindjen e tij në Açarevë, sot vizitova Gjeneral lejtnant Sylejman Selimin. Ai është liruar me kusht nga burgu. Kjo disi i ngjan aq shumë gjendjes së vetë shtetit të Kosovës. Por, Syla është mirë me shëndet dhe fytyra i shkëlqente. Nga Komandant i Zonës Operative të Drenicës te Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së te Komandant i TMK-së e i FSK-së e deri te ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë, kanë kaluar 20 vjet prej se e njoh dhe jemi shokë. Por, veprimtaria e tij është edhe më e hershme: ajo nis me Sylën si bashkëluftëtar i Komandantit legjendar Adem Jashari”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Pas më shumë se 5 vjet qëndrimi në burg, Selimi javën e kaluar është liruar nga burgu dhe është kthyer në shtëpi te të afërmit e tij.
Derisa, ai do të jetë nën mbikëqyrje nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, deri më 31 tetor të vitit të ardhshëm.