Kurti tani i arsyeton punësimet nepotiste, thotë se nuk vendosin në bazë të mbiemrave

Prishtinë | 03 Qer 2021 | 17:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish është pyetur në lidhje me punësimet e familjarëve të zyrtarëve të Vetëvendosjes, të cilat rezultojnë se nuk janë të pakta.

Kurti është pyetur sot në Kuvend nga deputeti Fadil Nura, PDK, për punësimet e xhaxhait të Glauk Konjufcës, Rabit Konjufca, nipit të Besnik Bislimit i cili është zv/kryeministër në Qeverinë Kurti, dhe nipit të ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla.

“Rabit Konjuca, xhaxhai i kryeparlamentarit Glauk Konjufca; Gëzim Tosuni nip i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi i punësuar në KShC; Gëzim Sveçla, nip i ministrit të MPB-së, i punësuar në MTI; Sami Uka, vëllai i deputetit Fitim Uka i punësuar në MSH; Drilon Zyba, Shkurte Aliu, Alban Krasniqi e të tjerë, lista vazhdon. Z. Kryeministër për një muaj e gjysmë jo që i keni ndalë punësimet familjare por i keni dyfishuar”, ka thënë Nura.

Kurti i cili i akuzonte qeveritë e kaluara për punësimin e kushërinjve, relativizoi punësimet e këtilla në Qeverinë Kurti.

“Vendimmarrjet në bazë të mbiemrave nuk janë te ne. Gëzim Tosuni ka kaluar në pika vlerësimi, dhe është i pari në listë, është personi adekuat që duhet të jetë në atë post. Dhe afërsia e tij me zv/kryeministrin nuk qëndron, ne kemi bërë emërime politike jo punësime familjare, këshilltarët politikë nuk janë shërbyes civilë’’, shtoi Kurti.

Madje, ai lavdëroi punësimin e xhaxhait të Glauk Konjufcës, si këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Mehaj ka vendosur ta emërojë Rabit Konjufcën, i cili akademinë ushtarake e ka kryer para se të lindë Glauku. Nuk ka shkelje të ligjit në asnjë rast’’, përfundoi Kurti.

Të ngjashme