Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci nesër do të betohen si kryetarë të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Ata dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët në votime dhe bojkotimin e Listës Serbe. Se ku do ta kryejnë procedurën betimit, për Express, kanë dhënë detaje tre kryetarët e sapozgjedhur.
Izmir Zeqiri nesër do të betohet si kryetar i Zubin Potokut në orën 10:00 në zyret komunale në fshatin Çabër.
“Seanca do të mbahet në zyrat komunale në Çabër në orën 10:00”, tha Zeqiri.
Në të njëjtën orë do të betohet edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci. Mirëpo ky i fundit betimin do ta bëjë në kullën e heroit Isa Boletini në fshatin Boletin.
“Seanca do të mbahet në kullën e Isa Boletinit në Boletin”, tha Peci.
Tri orë më vonë prcedurën e betimit do ta kryejë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili ishte kandidat i VV-së.
“Nesër në orën 13:00 në Bistricë në zyrën lokale”, tha ai për Express.
Për betimin e kryetarëve të rinj ka folur edhe kryeministri Kurti në fjalën hyrëse në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Ai tha se nesër në ndërtesat publike të këtyre komunave do të bëhet edhe betimi i kryetarëve të rinj që kanë mbetur ka e kryer këtë procedurë.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”, tha Kurti, raporton Express.
Procedurën e betimit e ka kryer të premtën e kaluar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Para mbajtjes së seancës solemne, në objektin e komunës u vendos flamuri i Kosovës.
Vendimi i parë që Atiq mori, ishte emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të Komunës.
Atiq, pas betimit tha se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.
Në katër komunat veriore u mbajën zgjedhjet më 23 prill pasi kryetarët e atëhershëm dhanë dorëheqje nga postet e tyre për shkak të vendimit të Qeverisë Kurti për targat. Në këto zgjedhje, Lista Serbe nuk mori pjesë, kështu duke ndikuar edhe në pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve serbë në zgjedhje.
Hovenier kërkoi kryetarë me “rol teknik”, Konjufca thotë se roli i tyre përcaktohet me Kushtetutë
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.
“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, tha ai në një intervistë për Telegrafin.
Ambasadori amerikan deklaroi se pret nga kryetarët e rinj që të marrin rol teknik dhe jo politik.
“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.
Hovenier tha se çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre, do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Glauk Konjufca, dje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur para gazetarëve. Ai u pyet për deklaratën e ambasadorit Hovenier se kryetarët në Veri duhet të kenë “rol teknik e jo politik”.
Konjufca tha se roli i kryetarëve të komunave është i përcaktuar me Kushtetutë.
“Rolet e kryetarëve të komunave janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe përgjegjësitë e tyre. Unë mendoj që ata nuk duhet të kenë as më pak, as më shumë. Më pak do të ishte e paligjshme dhe do të ishte kompromis me kornizën tonë kushtetuese, me të cilën ne funksionojmë. E më shumë do të ishte grabitje e kompetencave, pra ne jemi shtet demokratik dhe po pretendojmë me funksionu me kushtetutë, rregulla e ligje më të cilat është pajtuar shoqëria. Ndoshta ambasadori dhe të tjerët kanë mendu që mund të jetë problematike më ushtru funksionin me kompetenca të plota. Mirëpo ne do të bëjmë çmos që ta kuptojnë të gjithë se po jetojmë në një shtet demokratik.