Kurti thotë se duhet të japë dorëheqje i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë në rastin e Hamide Magashit, e “amniston” MD-në e Qeverinë

Prishtinë | 01 Dhj 2022 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një postim të radhës në Facebook, pas protestës së grave para ndërtesës së Qeverisë në shenjë revolte me vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Kurti ka bërë të ditur se sot pasdite ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjes së saj të palindur.

“Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policorë, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

Në këtë “zinxhir të papërgjegjësisë”, Kurti nuk ka përmendur Ministrinë e Drejtësisë, ose ndonjë përgjegjës tjetër nga Qeveria që ai drejton.

Sonte është protestuar në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e gruas shtatzënë e cila u vra mbrëmë nga ish-bashkëshorti i saj.

Në protestë kanë marrë pjesë qindra gra qytetarë të tjerë, të cilët kanë bërë thirrje për dorëheqje të përgjegjësve që nuk e mbrojtëm gruan, megjithëse ajo e kishte raportuar dhunën e vazhdueshme dhe kishte urdhër mbrojtjeje.

Protestuesit kanë bërë thirrje se shteti duhet t’i mbrojë gratë dhe jo burrat siç kishte shkruar kryeministri i Kosovës, në një reagim të tij.

“Burrat vrasin gratë, shteti shkruan postime në Facebook”, ishte njëra nga parullat e protestës, së thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, YIHR dhe Rrjeti i Grave të Kosovës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme