Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e euforisë së “heroizimit dhe romantizimit” të Faton Hajrizit, shtetasi kosovar që dyshohet se u vra në Serbi të premten, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për të qartësuar gjithçka që ndodhi me Faton Hajrizin, që nga ikja drejt Serbisë deri në vrasjen e raportuar të tij.
“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizi. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se pas krahasimit të gishtërinjve, është vërtetuar se qytetari i vrarë është Hajrizi.
“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizi, institucionet tona janë përpjekur të transmetojnë informata zyrtare. Përmes MPJD-së, jemi informuar nga drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar, se autoritetet serbe me datë 22 korrik 2024 kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja bashkë me shenjat e qytetarit Faton Hajrizi janë përcjellur në forenzikë, pas krahasimit drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë. MPB-ja dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur me vëmendje secilën hollësi, MD dhe MPJD janë angazhuar dhe kanë informuar” – ka thënë Kurti, transmeton Nacionale.
Shefi i ekzekutivit pati edhe kritika për Prokurorinë Speciale për intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë për Milan Radoiçiqin dhe grupit të tij terrorist, ndërsa nuk ju deshën as 10 orë që të marrin ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun për një postim në Facebook. Fuqizimi i shtetit te Kosovës kërkon kohë dhe mund, përkushtim dhe guxim, përkushtim dhe vullnet, duhet edhe një politikë e mirë. Mbi 400 mijë fëmijë do të marrin shtesat e dyfishuara e cila janë e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës”, u shpreh tutje Kurti.