Kurti thotë se po i përkrahin, Balje ankohet se s’po merren parasysh kërkesat e tyre

Prishtinë | 30 Sht 2022 | 15:03 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, kanë marr pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin boshnjak, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit, raporton Ekonomia Online.

Kurti me këtë rast tha se Qeveria ka dëshmuar përkushtim e respekt për komunitetin boshnjak.

Ai më tej shtoi se do të sigurojnë për të gjithë përkthimin në gjuhën amtare të komuniteteve duke pohuar se dëshirojnë ta promovojnë qasjen shumë gjuheshe në Kosovë.

“Kemi dëshmuar se si Qeveri jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me të gjithë. Kjo tregohet tekstet mësimore. Do të sigurohet përkthim adekuat. Dëshirojmë të promovojmë këtë qasje shumë gjuheshe në Kosovë. Respekti për komunitetin reflektohet nga takimet që kam zhvilluar. Nga 100 të rijnë për punë praktike 32 kanë qenë të komunitetit boshnjak. Do të mbahet edhe konference nga Zyra e Kryeministrit për këta zyrtarë. Janë ndarë grante për rini”.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave, Emilia Rexhepi u zotua se do t’i marrin parasysh të gjitha kërkesat e komuniteteve.

“Jemi të hapur për bashkëpunim me komunitetet. Dua t’iu dëgjoj të gjithë juve, por do të dëgjoj dhe si Qeveri do të marrim qëndrim”.

Deputetja e Komunitetit Boshnjak, Duda Balje, e vlerësoi takimin dhe shtoi se problemet nëse flitet edhe nuk dihen, raporton EO.

Por ajo u ankua se kërkesat e tyre nuk po realizohen, madje tha që disa herë është drejtuar edhe me e-mail e nuk ka marrë përgjigje.

“Të gjitha opsionet politike keni munguar si kryeministër për ditën e boshnjakëve sepse është dashur me ditë për prioritetet. Dëshiroj të kuptoni sa është me rëndësi kjo për ne si komunitet. Kemi përmendur tekste shkollore sepse arsimi është shumë i rëndësishëm. Kemi kërkesa sepse kjo zyrë ka funksionuar edhe para juve dhe 14 vjet kemi komunikuar. 50% të kërkesave kemi mundur t’i realizojmë, por shumë pak janë realizuar”.

“Asnjë kërkesë nuk është realizuar. Unë dua të bashkëpunojë, por nuk po di si sepse nuk po dimë si të funksionojmë sepse disa herë ju kemi dërguar e-mail. Kryeministër ne jemi të gatshëm të komunikojmë edhe me shkrim”.

Fjalimi i kryeministrit Kurti në tryezën e rrumbullakët me komunitetin boshnjak:

Faleminderit znj. Sanela,

E nderuara Zëvendëskryeministre Redžepi,

E nderuar Deputete Balje,

Të nderuar Zëvendësministra,

Të nderuar përfaqësues të partive politike, të Organizatave Joqeveritare dhe të institucioneve qendrore e lokale

Të shtunën isha në Prizren, bashkë me Zëvendëskryeministren, për hapjen solemne të Qendrës Kulturore Boshnjake. Ishte një fillim i mbarë i javës kur shënohet Dita e Boshnjakëve, dhe më vjen mirë që në përmbyllje të kësaj jave kam mundësi të ulem bashkë me ju për të biseduar rreth prioriteteve dhe mundësive kryesore që ju shihni për komunitetin e respektuar boshnjak.

Qeveria jonë ka dëshmuar gjatë vitit të kaluar që ne kemi vlerësim e respekt të lartë për komunitetin boshnjak. Kjo tregohet me kujdesin që tekstet mësimore janë botuar dhe paguar nga Qeveria për mësim për shkollat në gjuhën boshnjake. Gjithashtu prej rekomandimeve të Komisionerit për Gjuhë për implementimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe në veçanti për krijimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim brenda Zyrës së Kryeministrit ku do të sigurohet që ligjet dhe aktet nën-ligjore të kenë përkthim adekuat dhe që e lehtëson qasjen në drejtësi dhe e siguron sundimin e ligjit jo vetëm për qytetarët të cilët flasin gjuhën shqipe.

Ju që e dini më shumë se një prej gjuhëve zyrtare keni një përparësi të madhe në krahasim me shumicën e brezit të ri në Kosovë. Është një përparësi për lidhje tregtare dhe kulturore brenda Kosovës, por edhe me fqinjët tanë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Dëshirojmë ta promovojmë këtë qasje shumëgjuhëshe në Kosovë, dhe një pjesë e përkrahjes sonë ka qenë sivjet përmes ndihmës për Programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës. Zyra për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit ka ndarë 5 bursa për studentë prej komuniteteve për të studiuar gjuhët e Ballkanit si dhe linguistikë, antropologji e lëndë të tjera të ngjajshme. Gëzohem që nga ata që po studiojnë ka student prej komunitetit shqiptar, serb, por edhe nga ai boshnjak.

Respekti jonë për komunitetin boshnjak reflektohet gjithashtu në takimet që kam zhvilluar gjatë vitit. Javën e kaluar isha në një ngjarje me Policinë e Kosovës dhe ishte kënaqësi të flas me oficerë boshnjak për kontributin e tyre për sigurinë në Kosovë. Gjatë verës pata mundësi të takohem me të rinj boshnjak mes numrit të praktikantëve të angazhuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve që janë angazhuar prej saj dhe që këtë e ka organizuar për 6 muaj. Nga 100 të rinj të pranuar në programin e Qeverisë për punë praktike në institucione, 32 kanë qenë të komunitetit boshnjak. Një mundësi tjetër për të kuptuar nga afër kontributin e boshnjakëve në institucionet tona ka qenë edhe takimet me Zyrtarët Komunal për Komunitete dhe Kthim. Siç e dini në secilën komunë ekziston zyrtari i tillë. Këta zyrtarë janë hallkë e rëndësishme në zinxhirin e shërbimeve për qytetarët prej komuniteteve joshumicë, dhe jam Kryeministri i parë që ka ftuar të gjithë zyrtarët komunal për Komunitete dhe Kthim për një takim. Së pari jemi takuar në mars ku kam pasur mundësi të dëgjoj për kërkesat kryesore, dhe pasi që njëra prej kërkesave ka qenë për trajnim dhe rrjetëzim të shtuar, Zyra për Çështje të Komuniteteve ka organizuar një konferencë shumë të suksesshme gjatë verës për këta zyrtarë. Do të mbahet edhe një konferencë nga Zyra e Kryeministrit për këta Zyrtarë javën e ardhshme.

Përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve gjithashtu kemi pasur mundësi të ndihmojmë iniciativa të tjera specifikisht për komunitetin boshnjak – janë ndarë grante në mbështetje të projekteve për vendimmarrje për rini, aktivitete kulturore, promovim të trashëgimisë së artizanateve për gratë boshnjake, gazetarinë për komunitetin, emisione në radio dhe televizion për komunitetin si dhe Kongresin e intelektualëve boshnjakë të Kosovës. Gëzohem për larmishmërinë e iniciativave të komunitetit dhe për kontributin e gjerë që ju po bëni për shoqërinë civile, për bizneset dhe për politikën në Kosovë.

Sot ju kam ftuar sepse kam dashur të dëgjoj nga ju se çfarë ju e cilësoni si prioritete dhe mundësi për bashkëpunim dhe për përkrahje të shtuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pra tash do të lë hapësirë që të tjerët të flasin, me shpresë që ky takim bëhet pikënisje për edhe më shumë arritje të përbashkëta.

Urime edhe njëherë Ditën e Boshnjakëve, të cilën e shënuat tash së fundmi dhe shpresoj që bashkërisht do të na prijë e mbara sepse do të bëjmë shumë punë të mira.

Të ngjashme