Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përmendur nëntë observime nga Konsiderata Mjeko-Ligjore dhe Përfundimet e Raportit të Autopsisë të doktorëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, e cila sipas tij ka të bëjë me vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka cekur në veçanti secilën nga këto nëntë observime, për të cilat ka shkruar edhe detaje.
Ka thënë se sipas kësaj deklarate, një prej shokëve të qelisë së Astrit Deharit, Naser Makolli, ishte personi i parë që e gjeti Astritin në qeli të shtrirë në tokë.
Kurti shkruan se sipas deklaratës së parë të Naser Makollit, ai ka thënë se u përpoq t’i jepte Astritit ndihmën e parë ndërsa në ri-intervistim ai ndryshon deklaratën duke folur edhe për frikën që kishte nëse e merr policia në pyetje.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Albin Kurtit në Facebook:
1. Dëmtimet në gojë dhe asfiksia:
Nga raporti: “Në bazë të pamjes dhe lokalizimit topografik të lëndimeve në rrënjën e gjuhës dhe të kavitetit të gojës, me lehtësi mund të rikonstruktohet mënyra e shkaktimit të lëndimeve. Mbyllja e laringut (me fundin e gojës), një ngulfatje e tillë kryhet gjate dhunimit zakonisht me qëllim të pengimit të britmës për ndihmë të viktimes së sulmuar tek të rriturit. Asfiksi mekanike e shkaktuar nga mbyllja e vrimës së gojës pa mbyllur vrimat e hundës nuk para ndodhin zakonisht.”
Pra, së pari, është goxha e pamundur që Astriti ta ketë ngjeshur vetë shishen në fytin e tij duke çarë rrënjët e gjuhës së vet dhe duke i rezistuar gjithë kësaj dhimbjeje e duke vazhduar ta mbajë shishen e plastikës në gojë deri në asfiksi. Ajo çka po thonë doktorët është se ka shumë mundësi që për ta finalizuar asfiksinë ia kanë mbyllur edhe vrimat e hundës me jastëkun që gjendej aty. Sipas raportiti thuhet:
“Të dhënave të vendit të ngjarjes, studimi kriminalistiko-mjekoligjor i objekteve të fiksuara në foto në dyshemenë e dhomës së paraburgimit, (vlerësim nëpërmjet fotove te vëna në dispozicion) një jastek në dysheme me mbetje jarge …… (send i butë i perdorur në të cilin vihen re njolla peshtyme të lena nga viktima në çastet e vdekjes…) mund të kete kontribuar në rezultatin perfundimtar të menyres dhe natyrës së kesaj asfiksie mekanike.”
2. Lëndimet në pjesën e djathtë të qafës:
Nga raporti: “Zakonisht në vetëdëmtime plagët e qafës më shpesh lokalizohen në pjesën e përparme dhe anësore majtas kur viktima ka aktive dorën e djathtë dhe anasjelltas, si dhe me drejtim nga lart-poshtë ….!”
Çfarë janë duke thënë dy mjekët ligjor të familjes në këtë rast është se nuk ka shpjegim se si Astriti, i cili NUK ishte mëngjarash dhe në fakt përdorte dorën e djathtë, t’i ketë shkaktuar vetë këto lëndime në pjesën e djathtë të qafës (poshtë nofullës). Lëndimet që paraqiten në pjesën e djathtë të qafës së Astritit (lëndime që duket se janë bërë me brisk roje) do kishin kuptim (deri diku) të ishin vetëlëndime nëse Astriti do të kishte qenë mëngjarash, por Astriti përdorte dorën e djathtë. Për më tepër, drejtimi i prerjeve të këtyre lëndimeve është horizontal – përreth qafës – dhe jo vertikal (nga lart-poshtë ose nga poshtë-lart). Prandaj, nisur nga pozicioni i këtyre lëndimeve në qafë si dhe nga orientimi i prerjeve në këto lëndime, duket se Astriti nuk ia ka bërë vetes ato.
3. Katër shenjat në ballë dhe doreza e hekurit:
Nga raporti: “Dëmtimet në kokë, dërmishjet në pjesen e përparne të kokës të vendosura afër njëra-tjetrës në një diametër rreth 4 cm mund të jenë shkaktuar nga një mjet i fort mbretës, demtimi ekimotik perfshin indet nënlëkurore të skalpit në kete nivel deri në kocken e kokës pa frakturë”.
Jo zyrtarsht, të dy doktorët e familjes janë shprehur se këto katër lëndime (dërmishje) rrethore në ballë ngjajnë si pasojë e një goditjeje me dorezë hekuri. Gjithashtu, në udhëtimin disa ditor që avokati Tomë Gashi bëri në Hagë në dhjetor të vitit 2016, kolegët (miqtë) e tij ndërkombëtarë mjeko-ligjor që panë raportin e autopsisë i thanë në mënyrë joformale se ky është një rast tipik vrasjeje në burg dhe se katër shenjat që Astriti ka në ballë te rrënjët e flokëve janë shkaktuar nga një dorezë metalike (boks i hekurit) me të cilën dikush e ka goditur.
4. Lëndimet përcaktohen si shenja vetëmbrojtjeje:
Nga raporti: “Lëndimet në kokë, në parakrahun e majtë dhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathte, anën e djathtë të qafës, këndin e nofullës së poshtme jane shkaktuar me mjete të fortë dhe keto klasifikohen si lëndime trupore me natyre me shume si shenja të vetëmbrojtjese.”
Për të gjitha këto lëndime mjekët ligjor janë duke thënë se janë shkaktuar në ballafaqim e sipër me persona të tjerë.
5. Mjekët ligjor të familjes nuk u lejuan kurrë në vendngjarje:
Kjo përbën një shkelje flagrante të procedurave mjeko-ligjore dhe analizave kriminalistike duke ia pamundësuar mjekëve të familjes të bëjnë analizat në vendngjarje si dhe duke ia pamundësuar analizat e provave fizike të gjetura në vendngjarje. Nëse pushteti nuk kishte diçka për të fshehur, nuk ka patur arsye për ta bërë këtë shkelje flagrante.
6. Plani operativ i hetimeve nuk u shtrua kurrë si hetim për një vdekje të dhunshme:
Nga raporti: “I gjithë plani hetimor–operativ duhej të shtrihej që në fillim si një vdekje e dhunshme gjersa janë konstatuar dëmtime traumatike, duke evituar mendimet paraprake sepse një orientim jo profesional është shume i keq në kete proces.”
Mjekët e familjes janë duke thënë se policia dhe hetuesia nuk e analizuan kurrë këtë rast, në asnjë moment e që prej fillimit, si rast i një vrasjeje të mundshme. Mënyra e hetimit e ka paragjykuar që në start si vetëvrasje këtë rast duke mos ndjekur procedurat e rregullta që do duhej të ishin ndjekur në rastin e dyshimit për një vrasje. Ky lloj hetimi paragjykues ka ndikuar në çdo hap të procesit duke e orientuar atë.
7. Mungesa e ndihmës së shpejtë adekuate:
Nga raporti: “Në kontaktin e parë me ndodhinë e ngjarjes sipas materialeve të çështjes dhe dëshmive të dhëna ka paqartësi dhe kontradikta në lidhje me prezencën apo jo të shenjave të jetes. Nese ka patur shenja jete (puls dhe frymëmarrje sipas personelit mjekesor) dhënia e ndihmës së mundshme mjekësore nuk ka qene në nivelin e duhur. Interesi mjeko-ligjor fokusohet kryesisht te vendi ku është gjetur kufoma në vendin e ngjarjes, si dhe duart e viktimës duhej të ishin mbeshtjellur me qese të bardhe që te mos humbasin provat.”
Kjo të bën të dyshosh pse ndihma e shpejtë nuk është dhënë shpejtë dhe ashtu siç duhet?
8. Oraret e mbërritjes në spital në raportin e Spitalit janë korrigjuar (rishkruar) me dorë:
Dy orare janë rishkruar me dorë në raportet e mjekëve, duke e bërë të pamundur deshifrimin e orarit të shënuar fillimisht lidhur me orën e mbërritjes së Astritit në spital dhe orën e vdekjes së tij. Dy oraret e korrigjuara me dorë janë te Raporti Mjekësor Specialistik i Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku duket se ora e paraqitjes së Astritit në Spital është ndryshuar me dorë.
9. Pesë muaj më vonë, Naser Makolli, shoku i dhomës së Astrit Deharit gjendet i vdekur në burg
Sipas deklaratës së tij të parë, një prej shokëve të qelisë së Astrit Deharit, Naser Makolli, ishte personi i parë që e gjeti Astritin në qeli të shtrirë në tokë. Sipas deklaratës së parë të Naser Makollit, ai ka thënë se u përpoq t’i jepte Astritit ndihmën e parë. Në ri-intervistim ai ndryshon deklaratën duke folur edhe për frikën që kishte nëse e merr policia në pyetje – kjo është e shënuar edhe në raportin e autopsisë së mjekëve të familjes. Ka deklarata kontradiktore lidhur me atë se kush ia ka hequr Astritit shishen nga goja dhe kush i ka dhënë ndihmën e parë (Naser Makolli apo gardiani). Më tej, Naser Makolli, që duket të jetë dëshmitari kryesor i këtij rasti, gjendet i vdekur në burg në 4 prill 2017.
Në datën 14 prill 2017, Zyra e Kryeministrit të Kosovës kthen përgjigje zyrtarisht se refuzon kërkesën e familjes për hetim ndërkombëtar. Këtë përgjigje Zyra e Kryeministrit ia kthen fillimisht Ministrisë së Dretësisë, znj. Dhurata Hoxha, më tej në datën 3 maj 2017 ia kthen edhe avokatit të familjes Tomë Gashit.