Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur për ta parë prespektivën e Qeverisë në ardhje lidhur me këtë çështje.
Kurti ka thënë se në dialog s’ka nevojë të negociohet për çështje që garantohen me Kushtetutë, ndërsa ka theksuar se nuk mund të themelohet Asociacion njëetnik.
“Neni 44 i Kushtetutës garanton lirinë e asocimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që garantohet me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.
Ai ka përmendur edhe katër parime, sipas të cilave ai thotë se duhet të zhvillohet procesi i dialogut me Serbinë.
“Katër parime: Një, duhet pranuar realiteti; dy, duhet pranuar e vërteta; tre, të ulemi si të barabartë; katër, të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.
Bashkimi Evropian dje ka ritheksuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e parandalon këtë.
Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit, ai tha se ka qenë një zotim i njëanshëm. Ai ka vazhduar kritikat për këtë marrëveshje meqë sipas tij është bërë shpejt-shpejt.
“Ka administratë të re në ShBA dhe Qeveri të ri në Kosovë, nuk mendoj se duhet të merremi shumë me atë. Ajo marrëveshje në pikën e fundit ngjan më së shumti. Nuk guxon asnjë zyrtar të thotë që nuk do të angazhohet për njohje ndërkombëtare. Qeveria që shkon nuk e ka të gjatë, për atë arsye edhe nuk ka ekzistuar një kokëçarje”, shtoi ai.
Ai theksoi se si do të inkuadrohet shoqëria civile në këtë proces, varet pikërisht nga ta.
“Nuk jam për dialog që ka regjisor dhe skenarist. Ne duhet të definojmë principet e akterëve por jo rolin e tyre me gjashtë akte me epilog dhe me uvertyrë. Nëse insistoni në këtë aspekt atëherë më mirë është të lexoni letrat e Biden se letrat e mia”, shtoi ai.
Në tryezën virutale të organizuar KFOS dhe FORUM 2015, bashkëbiseduan Kurti e publicisti Veton Surroi.
Kurti ka thënë se Kosova ka shumë çështje që duhet të diskutojë me Serbinë. Ai ka thënë se Serbia duhet të ketë vullnet për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur.
Në tryezën e organizuar nga KFOS me temën “Si tutje me Dialogun”, tha se Serbia duhet të ia kthejë Kosovës rreth 3 miliardë euro borxh. Veç tjerash edhe të ofrojë dëmshpërblim për pronat e dëmtuara, kompensimi për vuajtjet e luftës dhe kërkim falja.
“Duhet të pranohet realiteti, e dyta të pranohet e vërteta, duhet të trajtohemi të barabartë dhe të përfitojnë qytetarët”, ka thënë ai.
Sa i përket Asociacionit të Komunave serbe, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik të cilën e mbështet edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, historia e Kosovës dihet dhe se pushteti i Serbisë duhet të reflektojë për krimet që ka bërë. Tutje, ka theksuar se qytetarët duhet të jenë përfitues e jo liderët si përfaqësues të qytetarëve.
E publicisti Veton Surroi ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të bëjë rivlerësimin e procesit të dialogut.
“Në këto dhjetë vitet e kaluara, prej që kemi filluar procesin negociator, ka ndryshuar konteksti gjeo-politik në botë. Ndërhyrja në mënyrë të gabueshme e ShBA-së, si rasti Grenell e dëmton procesin e dialogut është i nevojshëm rikthimi i ShBA-së dhe në kuadër të një dimensioni të ri. Përgjatë këtyre viteve kemi krijuar shpërputhje juridike. Bashkësia e komunave serbe është rasti eklatant. është në shpërputhje me sistemin tonë kushtetues”, tha ai.