Posta e Kosovës ka regjistruar bilanc pozitiv. Këtij lajmi i është gëzuar kryeministri Albin Kurti. Këtu i gjeni disa nga shkaqet e fitimit.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi i kënaqur të martën se Posta e Kosovës kishte shënuar bilanc pozitiv financiar.
Shefi i Qeverisë e mori ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me vete dhe shkoi atje, nga ku tha se në maj kjo ndërmarrje shtetërore regjistroi të hyra më të larta sesa shpenzime.
Vizita u parlajmërua disa orë më herët nga Zyra e Kryeministrit.
“I diskutuam shumë çështje të Postës së Kosovës, dhe gjithashtu sfidat e vështirësitë që i kanë. Por, lajmi i mirë është se në muajin maj, që e lamë pas, kemi pasur bilanc pozitiv në Postën e Kosovës. Pra të hyrat janë më të larta se sa shpenzimet dhe ky natyrisht është si rezultat i punës së përbashkët të këtij kolektivi i cili ofron shërbimin universal të shtetit të Kosovës, pra Postën e Kosovës”, tha Kurti.
I falënderoi kryesuesin e bordit të Postës, Fadil Bejtën, ushtruesen e detyrës së kryeshefes ekzekutive, Fakete Kadiu dhe stafin menaxhues të ndërmarrjes.
“Unë e falënderoj znj. Kadiu dhe z. Bejtën dhe gjithë Bordin e menaxhmentin, po edhe gjithë punëtorët e Postës së Kosovës, për shërbimet e shpejta dhe cilësore që ua ofrojnë qytetarëve të Republikës, në këtë kohë të vështirë për postat anë e mbanë botës e në veçanti këtu te ne”, ndërsa tha se Qeveria do të bashkëpunojë me Postën.
Çfarë kontribuoi në bilancin pozitiv të Postës
Për arsyet e bilancit pozitiv të Postës, kryeministri Albin Kurti nuk foli. Diçka për këtë mund të mësohet nga raporti i fundit i auditimit për këtë ndërmarrje.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Posta e Kosovës i ka reduktuar punëtorët si dhe disa prej atyre që punojnë nuk i kanë paguar sipas kontratave.
“Për vitin 2021, shpenzimet e pagave ishin 8,492,266€, ndërsa numri i të punësuarve më 31 dhjetor 2021 ishte 938 (në vitin 2020: 967 të punësuar). Për këto shpenzime, ne kemi testuar 70 mostra për teste substanciale në vlerë 87,213€ si dhe 5 mostra për teste të pajtueshmërisë”, thotë ZKA.
“Me datë 29.01.2021 Bordi kishte marrë vendim për uljen e vlerës së koeficientit vetëm për gradat prej tetë (8) deri 17. Pavarësisht që ekzekutimi i pagave ishte aplikuar sipas vendimit, ndërmarrja nuk i kishte përpiluar kontratat e reja të punës për punonjësit që janë afektuar nga ulja e pagave deri në korrik 2021. Kjo për faktin se nga mostrat e testuara, në 13 raste kemi vërejtur që pagat nuk janë ekzekutuar sipas vlerës së paraqitur në kontratë të punës për gjashtë (6) e parë të vitit 2021. Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, kjo kishte ndodhur për shkak se ndërmarrja ishte në proces të ri sistemimit të përgjithshëm të strukturës organizative dhe se harmonizimi i kontratave ishte paraparë që të bëhet pas finalizimit të kësaj strukture”, konstaton më tej raporti.
Largimi nga puna dhe zbritja e pagave i ka pasuar protestat dhe grevat e punëtorëve të postës viteve të kaluara.
Filialet e ndërmarrjes ishin mbyllur disa herë në tërë Kosovën, për shkak se punëtorët nuk i merrnin pagat.
Posta, që dikur llogaritej si më fitimprurësja në vend, tani numëron 938 punëtorë.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka kishte thënë para disa vitesh se paga mesatare në Postë ishte 850 euro në muaj.
Ndarja e pagave me kohë ishte për disa kohë vetëm një nga kërkesat e punëtorëve.
Ekzekutivi në Kosovë dy herë kishte dështuar ta përmbyllte me sukses përpjekjen për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike./Gazeta Express