Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tryezën “Mosndëshkimi i krimeve të luftës – Pasojat për popullsinë dhe shtetndërtimin”, tha se gjykatat kanë bërë punë të dobët sa u përket akuzave dhe dënimeve të krimeve të luftës në gjykatat e Kosovës dhe se shumica e bartësve të krimeve në Kosovë janë civilë.
Sipas Kurtit, urgjentisht duhet të bëhet dokumentimi i dëmeve të luftës, raporton Ekonomia Online.
“Shteti nuk ka marrë asgjë për të adresuar krimet e luftës. Shumë prej bartësve të dëmit kanë nevojë të dëgjohen, bartësit e dëmit duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Kur një shtet ka arritur deri këtu e nuk ka adresuar asnjë krim, atëherë është rrezik”, tha Kurti.
“Duhet urgjentisht të bëhet dokumentimi i dëmeve të luftës sikurse që është regjistrimi i popullsisë. Serbia ka shkaktuar dëme dhe si e tillë ato duhet t’i kompensojë, Kosova duhet t’u sigurojë qytetarëve dhe dëshmitarëve jetë të qetë pas procedurave gjyqësore”, tha ai.
Deputeti Glauk Konjufca tha se krimet e luftës të cilat janë kryer në Kosovë nga ana e Serbisë nuk kanë qenë krime individuale, por me plan shtetëror të Serbisë, raporton EO.
“Krimet e luftës janë kategori e veçantë dhe krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve nuk janë krime individuale, as nga aspekti i kryesit e as nga aspekti i viktimës, d.m.th. nga këto dy dimensione krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve nuk janë aspekt individual”, tha Konjufca.
“Plani i Serbisë ka qenë shtetëror, krimet nuk janë pasojë e shpërthimit spontan apo se situata ka dalur prej kontrolli, por ka qenë plan shtetëror që qëllim ka pasur shfarosjen e një populli të tërë”, shtoi Konjufca.
“Krimet janë të shumta dhe nuk reduktohen vetëm me vrasje të civilëve, Serbia rrëmbeu dhe mban ende të pagjeturit që konsiderohen rreth 1600 qytetarë, dhunuan femra, lënë shumë njerëz me trauma të rënda, lënë njerëz të gjymtuar nga dhuna që shkaktuan, dëbuan kosovarë nga shtëpitë e tyre dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale mbi 20 miliardë euro”, tha Konjufca.
Deputetja Albulena Haxhiu tha se Kosova nuk ka punuar fare në trajtimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë. Ajo tha se kjo tryezë është thirrur për këtë qëllim, në mënyrë që të diskutohet se çfarë roli ka pasur shteti ndaj krimeve të luftës, raporton EO.
“Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm që nuk i ka trajtu seriozisht krimet e luftës dhe në këtë tryezë do adresohen krimet e Serbisë dhe roli i shtetit përballë tyre”, tha Haxhiu.
Deputetja Saranda Bogujevci tha se institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të mbledhin dëshmi për krimet të cilat janë kryer në Kosovë.
Pos institucioneve, ajo tha se edhe qytetarët duhet të jenë më të angazhuar në kërkimin e dënimit të kryerësve të vrasjeve dhe dhunuesve që kanë ndodhur në Kosovë gjatë kohës së luftës.
Bogujevci tha se Kosova është dashur ta ketë vetë gjykatën për krime të luftës dhe jo procedurat e tilla të kryhen përmes institucioneve ndërkombëtare.
“Nuk ka asnjë mekanizëm shtetëror që i përkrahë dëshmitarët që marrin pjesë në procese gjyqësore. Unë kam pasë fatin që ka pasur organizata të ndryshme, por kam qenë në një shtet tjetër në Britani ku kam pasur përkrahjen nga shteti britanez në proceset gjyqësore që kam kaluar”, tha Bogujevci.
Bogujevci shtoi se kanë kaluar 19 vjet dhe në Kosovë nuk është bërë asgjë në këtë drejtim dhe fajin më të madh e kanë insitucionet e vendit, pasi që nuk e kanë marrë përgjegjësinë e tyre lidhur me kërkimin e dënimit të krimeve të luftës që janë bërë në vendin tonë.