Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Greqi, ka takuar ish-kryeministrin e Greqisë, njëherësh presidentin e nderit të Internacionales Socialiste, George Papandreou, si dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis.
Në njoftimin për media, thuhet se me Papandreoun, Kurti bisedoi rreth ngjarjeve të fundit në vend e situatën e sigurisë, një muaj pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.
“U fol dhe mbi realitetin demokratik në Kosovë e sukseset e vendit tonë, e ku temë e diskutimit ishte dhe aplikimi për anëtarësim i Kosovës në Këshillin e Evropës. Ata biseduan dhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes partive simotra e dy subjekteve të tyre politike. Kryeministri Kurti e uroi Papandreou mbi suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Greqi gjatë këtij muaji”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq gjat takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, bëhet e ditur se pjesë e bisedës ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, ku kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik e të shkëmbimit tregtar si dhe në sfera të ndryshme me interes të përbashkët.
Në takim, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së e zbatimin e reformave.
“Vendi ynë aspiron të bëhet pjesë e strukturave Euro-Atlantike, për të cilën po angazhohemi maksimalisht në përmbushjen e këtij objektivi”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai foli dhe mbi rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut e normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në lidhje me situatën aktuale e aspektin e sigurisë, Kurti tha se sulmi terrorist dhe kriminal i 24 shtatorit u planifikua nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, të cilët kishin një skenar të qartë për destabilizimin e vendit.