Kurti viziton Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë: Libri sjell lirinë shpirtërore dhe atë mendore

Prishtinë | 14 Qer 2025 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë, ngjarje kjo që sivjet zhvillohet në një atmosferë të veçantë për shkak të përvjetorëve të rëndësishëm letrarë dhe kombëtarë: 100 vjet nga lindja e Martin Camajt, 150 nga Faik Konica, 200 nga Pashko Vasa dhe 400 nga Pjetër Bogdani.

Në mesazhin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e librit si themel i dijes dhe lirisë shpirtërore, duke e vlerësuar moton e panairit “Inteligjenca rrjedh nga libri” si thirrje për reflektim e angazhim kulturor.

Ai u bëri thirrje sidomos të rinjve që ta vizitojnë panairin dhe të shfrytëzojnë pasurinë e mbi 2000 titujve të rinj dhe 6000 botimeve të viteve të fundit, që vijnë nga rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Të ngjashme