Kurti viziton shkollën në Gjilan që përfitoi nga masat e qeverisë, i kënaqur me rezultatet

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, sot vizitoi shkollën “Hello Academy of Education” në Gjilan, ku u mirëprit nga dy drejtorët e saj, Florian dhe Hysnije Kurteshi.

Kjo shkollë është përfituese e katër masave të Qeverisë, masës 1.3 për mbështetjen e punësimit të grave, Pako për Përballje me Inflacionin për subvencionin e rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat, të skemës “Qeveria për Familje” dhe tash së fundmi të skemës së punësimit të garantuar për të rinj përmes platformës “Superpuna”, njofton Klankosova.tv.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur se nga masa 1.3 janë punësuar 18 gra ndërsa përmes skemës “Qeveria për Familje” janë punësuar pesë persona dhe janë angazhuar 16 punëtorë të rinj nëpërmjet platformës “Superpuna” dhe në fund nga rritja e pagës në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, kanë përfituar gjithsej 90 persona.

Kurti u shpreh i kënaqur kur takon përfituesit dhe sheh dobinë e drejtpërdrejtë të masave dhe pakove mbështetëse të qeverisë për qytetarë.

“Ajo se çfarë bëni në këtë institucion arsimor është një punë fisnike jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen, sepse mësimi në fëmijërinë e hershme është vendimtar për mësimin dhe edukimin e mëvonshëm sikurse edhe për profesionet që këta fëmijë nesër do t’i kenë dhe për punët e vendet e punës e kontributin në shoqëri të cilin do ta bëjnë”.

Ai shoti se gjuha e matematika në njërën anë, vizatimi e muzika në anën tjetër edhe natyra edhe shoqëria që janë fusha të mëdha, të cilët i mësojnë fëmijët dhe bashkërisht i studiojnë në këtë shkollë, do të jenë vendimtare për atë se çfarë do të jetë edhe ekonomia jonë, edhe shoqëria jonë, edhe kultura jonë, por dhe arsimi ynë.

Të ngjashme