Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Ferizaj, ku është takuar me qytetarë ferizajas si dhe ka vizituar disa biznese të këtij qyteti. Kurti tha se bizneset e vogla në Kosovë janë të ngulfatura nga tatimet e mëdha, duke theksuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, do t’i liroj bizneset nga kjo barrë.
“Bizneset e vogla në Kosovë praktikisht po mbyllen për shkak të qendrave të mëdha dhe për shkak se shteti në vend se të interesohet në inspektorët e punës, që aty të zbatohet ligji i punës, më shumë bënë trysni në pronarët që t’i kontribuojnë partive, prandaj ne do ta çlirojmë biznesin e vogël prej tatimeve të ndryshme të cilat vazhdimisht janë shtuar dhe në anën tjetër do të kujdesemi për respektimin e të drejtave të punëtorëve për shkak se punëtorët na thanë se punojnë nga ora 8 e mëngjesit e deri në ora 7 në mbrëmje, e punojnë edhe të shtunën, pra bizneset që të jenë më konkuruese duhet të jenë më të lira në ndërmarrësin ekonomike, por edhe punëtorët që janë aty duhet t’i kenë të drejtat e respektuara dhe kushte të punës të dinjitetshme”,tha Kurti.
Kurti theksoi se zgjedhjet e 11 qershorit u japin mundësi qytetarëve ta votojnë ndryshimin, që sipas tij, i nevojitet Kosovës.
“Më 11 qeshor ka më shumë se zgjedhje të jashtëzakonshme, këto zgjedhje janë aq të jashtëzakonshe sa që janë referendum, janë referendum midis të mirës dhe të keqes, midis të drejtës dhe të pa drejtës, midis gënjeshtrës dhe të vërtetës, dhe unë nuk kam dyshim se qytetarët e Republikës do të dinë ta votojnë ndryshimin, për shkak se përvoja e tyre është përplot ngecje e rënie dhe tani kanë nevojë që ta provojnë Lëvizjen, ta provojnë progresin”, u shpreh Kurti.
Pa dyshim, gjatë kësaj vizite nuk munguan as fotot me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin.