Kurti zotohet për trajtim të barabartë të komuniteteve, u premton bursa e punësim në institucione

Prishtinë | 07 Nën 2022 | 10:16 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e Samitit të parë Rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor, që organizohet nën udhëheqjen e Zyrës së tij, raporton Ekonomia Online.

Kurti, tha se Qeveria e tij i përkrah komunitetet, duke shtuar se gjendja e tyre nuk është e mirë si në ekonomi, por edhe sa i përket diskriminimit.

Ai më tej tha se duhet angazhim i institucioneve që të gjithë qytetarët të ndjehen të barabartë. Madje ai ka garantuar punësimin e tyre në institucionet publike e bursa për studentët.

“Jam i lumtur që sot po takohemi sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, që për herë të parë organizohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky samit ka për qëllim krijimin e një praktike të mbledhjes së akterëve kryesorë për të diskutuar se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të luftojnë diskriminimin ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, duke bashkëpunuar dhe ndarë praktikat më të mira institucionale, në mënyrë që të rritet mirëqenia e të përmirësohet cilësia e jetës së komuniteteve në vendet e rajonit tonë”.

“Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit, që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat e të gjithë qytetarëve në vend, sidomos me fokus grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Po punojmë bashkë për të përmbushur synimet e Programit të Qeverisë, ku prioritet në kuadër të Qëllimeve Strategjike dhe Objektivave Operacionale të Zyrës së Kryeministrit, është edhe përmirësimi dhe avancimin i gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”.

“Me këtë qëllim, kemi ndarë bursa për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultet të Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen e afërt në klasat tona anë e mbanë Kosovës të mund të kemi mësuese dhe mësues të komuniteteve, që japin kontributin e tyre për fëmijët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Pra, jo vetëm bursa në përgjithësi, por bursa në veçanti për Fakultetin e Edukimit, për ata, të cilët do t’i mësojnë më pas të tjerët.

Gjithashtu, kemi ndarë 500 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në drejtime të tjera të studimeve, përveç edukimit, por këto 100 janë në mënyrë të posaçme për edukim”.

“Kemi marrë vendim për të themeluar një mekanizëm për nxitjen, promovimin dhe bashkërendimin institucional të punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në institucionet publike. Sivjet kemi zbatuar edhe programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitetet, që ka dëshmuar se të gjithë përfitojmë nga diversiteti në vendet e punës”.

Isak Skenderi, drejtor Ekzekutiv i organizatës Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve tha se komunitetet nuk trajtohen njëjtë, duke shtuar se romët po përdorën për të bërë punë të pista.

“Për të ditur nivelin e racizmi duhet të reflekjom se si pozicionohemi me komunitete rom, ashkali dhe egjiptas. Shekuj veprimesh në perceptime të tilla diskriminimin e kanë bër në ADN-të tona. Romët mendoj se shtypja ndaj tyre është e lejuar”.

“Qysh në fillim të revolucionit industrial romët u diskriminuan. Sot në Kosovë romët janë të bllokuar, nuk i gëzojnë të drejtat e tyre për arsim, shëndetësi etj. Ne u bëmë nga vendet e para që luftojnë anti-gjipzismin. Qëllimi ynë është që të punojmë për një shoqëri multi-etnike ku komunitetet trajtohen të barabartë. Një Kosovë ku punësimi është i njëjtë për të gjithë. Ku gratë e komuniteteve trajtohen të njëjta”.

Në këtë samit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga rajonin si dhe ambasadorë të akredituar  në Kosovë.

Të ngjashme