Kurti zyrtarizon si zëvendësministra emrat e propozuar nga Mustafa

Prishtinë | 22 Shk 2020 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Të pesë emrat e propozuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa disa ditë më parë, për zëvendësministra në qeverinë Kurti, janë emëruar zyrtarisht. Derisa Agim Krasniqi e Xhavit Rexhaj ishin emëruar zëvendësministra të enjten, të shtunën është bërë i ditur emërimi i tre kandidatëve tjerë, Fatbardha Eminit, Florian Dushit dhe Ismet Beqirit, përmes disa komunikatave për medie, të lëshuara nga zyra e kryeministrit Kurti.

Emërimi i parë ka qenë ai i Fatbardha Eminit, në postin e zëvendësministres në

Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në një komunikatë për medie dërguar nga Zyra e kryeministrisë, Kurti e ka uruar Eminin, duke shtuar se “Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do ta ketë mbështetjen e Qeverisë në avancimin e politikave zhvillimore që ndërlidhen me komunat e Kosovës”.

Disa minuta më pas ka ardhur emërimi i Florian Dushit në postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Drejtësisë.

Ismet Beqiri, përmes komunikatës së tretë, është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërkohë, Agim Krasniqi e Xhavit Rexhaj ishin emëruar zëvendësministra në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, respektivisht MASHT, të enjten.

Krasniqi, Rexhaj, Emini, Dushi, Beqiri ishin pesë propozimet e LDK-së për zëvendësministra, të ofruar nga kryetari Isa Mustafa për emërim nga Kurti.

Të ngjashme