Kurtishi: S’ka pacientë në Onkologji të prekur me Coronavirus

Prishtinë | 22 Mar 2020 | 08:10 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për shkak të gjendjes së krijuar në vend me mbi 30 të infektuar me Coronavirus, Klinika e Onkologjisë është duke punuar me kapacitete më të zvogëluara.

Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i kësaj Klinike, Ilir Kurtishi, sipas të cilit mirë nuk ka pasur asnjë rast të infektuar me Coronavirus e që është pacient që merr shërbime në Onkologji.

“Klinika jonë është duke funksionuar me kapacitete më të zvogëluara, normalisht duke i zgjedh pacientët të cilët mund të marrin mjekim dhe duke i referuar do të thotë ato forma të mjekimit të cilët nuk do t’i bëjnë dëm pacientit dhe të cilët pacientë tanë mos të jenë të rrezikuar”.

“Deri tash është një gjendje shumë e mirë, pacientët vazhdojnë të kurohen ashtu siç duhet. Për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë rast”, tregoi Kurtishi për EO.

Megjithatë, Kurtishi thotë se akoma nuk ka të dhëna zyrtare se sa mund të jetë ky virus i dëmshëm për pacientët e kësaj klinike.

“Edhe pse akoma në botë, meqenëse jemi duke u marrë me një problematikë të re, akoma nuk ka të dhëna zyrtare se sa do të jetë i dëmshëm ky virus për këta pacientë, por normalsiht se pacientët onkologjik në gjithë botën janë më të rrezikuar dhe më të ndjeshme ndaj kësaj problematike”, theksoi ai.

Kurtishi më tej thotë se për disa pacientë është e domosdoshme të marrin terapinë në klinikë.

“Rastet të caktuara po, pasi që ndërpritet edhe mjekim i tyre, Ka mënyra kur mjekimi modifikohet pak dhe i përshtatet gjendjes së pacientit, çfarë perfomrance ka pacienti dhe mjekim koonform stadit të sëmundjes edhe ilaçet të cilat ne i përdorim ato japim”, tha drejtori i Onkologjisë.

Mirëpo, për shkak të rrezikut të infektimit me Coronavirus, Kurtishi tregoi se ka pacientë që hezitojnë të marrin kimioterapi.

‘Ka që kanë kërkesa që të vazhdojnë mjekimin normalisht, por ka edhe të tillë që hezitojnë por ne ata i mbajmë me kontrolle të cilat kohët e fundit po i bëjmë edhe online edhe me metoda të ndryshme elektronike që pacientët të cilët janë në përcjellje të mos lëvizin të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i përmbahen rregullave të IKSHP-së, që mos të kapen nga kjo sëmundje, apo ta prevenojnë marrjen e këtij virusi”, tha ai.

Ai thotë se kujdesi më i mirë për këta pacientë është t’iu përmbahen rekomandimeve të mjekut dhe të qëndrojnë larg vendeve ku ka numër të madh të njerëzve.

“Mos të kenë kontakt me njerët të tjerë dhe të të jenë në vetkarantinë kohëve të fundit më tepër në mënyrë që të prevenohet çfarëdo forme e kontaktit dhe bartjes së këtij virusi”, u shpreh Kurtishi.

Kurtishi tutje thotë se kjo klinikë po qëndron mirë me furnizim të ilaçeve, përveç ilaçit Pemitrexed e që është edhe në listën esenciale.

“Për momentin është një ilaç që e përdorim te një formë e tumorit  të mushkërive, pak më rrallë, është një ilaç që nuk e përdorim shumë shpesh, kurse gjitha format tjera janë”.

“Janë procedurat këto të tenderit të ilaçit dhe shpresojmë që javën tjetër furnizohemi me atë ilaç. Ky ilaç është në mungesë që 10 ditë”, tregoi Kurtishi.

Të ngjashme