Vetëm në janar u diagnostifikuan 115 të prekur me kancer, rreth 400 persona në ditë trajtohen në Onkologji

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 09:19 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 400 persona në ditë marrin trajtime në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa mosha mesatare e pacientëve që marrin trajtim aty janë nga 50 deri në 60 vjeç, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka thënë për Ekonomia Online se brenda këtij viti janë diagnostifikuar 115 pacientë të rinj. Te gratë dominon kanceri i gjirit. Ndërsa te meshkujt – kanceri i mushkërive dhe i zorrës së trashë.

“Edhe këtë vit po vazhdon trendi i sëmundjeve malinje… Brenda 24-25 ditëve të para të këtij viti kemi regjistruar 115 persona të diagnostikuar me kancer”.

Sipas Kurtishit, më shumë ka gra sesa meshkuj të prekur. “Te femrat dominon kanceri i gjirit, ndërsa te meshkujt ka dominim të kancerit të mushkërive dhe menjëherë pas tij vjen kanceri i zorrës së trashë. Kurse te femrat pas kancerit të gjirit, janë kanceret e organeve gjenitale. Këto janë sëmundje që vazhdojnë të jenë në trend dhe në rritje nga viti në vit”, ka thënë Kurtishi.

“Në ditët më të ngarkuara, në Klinikën e Onlogjisë ne ofrojmë 200-250 trajtime onkologjike – shërbime të kemioterapisë dhe rreth 120-130 persona marrin trajtim me rreze. Pra rreth 400 persona në ditë trajtohen në klinikën tonë gjatë ditëve të punës, plus rastet të cilat ne i kemi të hospitalizuar dhe të shtrirë në repart të cilët marrin trajtim 24 orë ose 48 orë apo raste të cilat kanë probleme me efekte anësore të terapisë të cilët ne i hospitalizojmë, i trajtojmë dhe i menaxhojmë ato efekte anësore”.

“Edhe pse në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit akoma është problematike rritja e numrit të rasteve të reja ndër moshën 50 vjeç. Të gjitha ato raste të cilat lajmërohen ndër moshën 50-60 vjeç, forma të ndryshme të tumoreve zakonisht janë në stade të avancuara të sëmundjes, stadin 3-4 të sëmundjes, kur edhe trajtimi onkologjik është më intensiv dhe kur efektet e trajtimit mund të jenë më të mangëta, më të pakta për pacientin”, u shpreh ai.

Trajtimet onkologjike që i kryejnë në këtë klinikë janë me dy forma të shërbimeve ato me ilaçe dhe trajtimet me rrezatim. Ndërsa dërgimi i rasteve jashtë shtetit është duke u zvogëluar. Brenda vitit të kaluar janë regjistruar veç 3 raste të cilët kanë pasur nevojë për një rrezatim të veçantë, gjë që nuk kryhet as në vendet e rajonit.

“Nga viti i kaluar ne kemi filluar një rrezatim të veçantë që quhet “Brachytherapy”, për të cilën kanë qenë viteve paraprake kërkesat më të mëdha për dërgim të pacientëve jashtë vendit. Vitin 2021 gati nuk kemi dërguar, kemi pas dy-tri raste të pacientëve të cilët kanë pasur nevojë për një rrezatim të veçantë, i cili nuk kryhet as në rajon po këto janë raste minimale, të cilat është dashur t’i rekomandojmë një formë të veçantë të rrezatimit. Përndryshe gati 1 mijë persona të cilët kanë pasur nevojë të kryejnë rrezatim e kanë kryer rrezatimin në klinikën tonë”, ka thënë Kurtishi.

Kurtishi tha se kanë pasur një sfidë shumë të madhe në kohën e pandemisë e që po vazhdon të jetë e tillë. Sfidë kryesore mbetet lajmërimi i vonshëm i pacientëve në repart, për të cilat tha se mungojnë edhe informacionet.

“Janë bërë kampanja të ndryshme gjatë muajit tetor kur është fushata për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit, mirëpo nuk duhet të jetë veç ai muaj, sepse kancer kemi çdo ditë, çdo javë. Normalisht një efekt të madh kanë pasur edhe mediet të cilat i kanë informuar qytetarët e Kosovës që të lajmërohen te mjeku më herët”.

“Por jo vetëm kanceri i gjirit por edhe sëmundjet e tjera të cilat mund të detektohen më herët, si kanceri i qafës së mitrës, mitrës apo kanceri i zorrës së trashë kur metoda të skanimit, me metoda rutinore ne mund t’i zbulojmë këto sëmundje shumë herët. Kjo përkthehet në shëndet të popullatës dhe një kosto shumë të vogël pastaj për shtetin tonë për trajtimin e këtyre sëmundjeve”, ka thënë Kurtishi.

Të ngjashme