Kurtishi: Vetëm 3 muajt e parë 515 persona janë prekur me kancer, 10 për qind më shumë se vitin e kaluar

Prishtinë | 26 Pri 2024 | 10:55 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi ka thënë për Ekonomia Online se deri më 20 maj pacientët do të fillojnë t’i marrin trajtimet në Klinikën e Onkologjisë e cila i ka rritur kapacitetet dhe ka dyfishuar numrin e shtretërve për pacientët ambulatorë.

Kurtishi ka theksuar se deri vitin e kaluar i kanë pasur vetëm 45 shtretër, ndërsa nga maji mund të  trajtohen rreth 100 pacientë, me 100 shtretër ose karrige onkologjike.

“Klinika e onkologjisë ka filluar rinovimin qysh nga tetori i vitit 2023, dhe ka pasur dy faza dhe rinovimin e dy kateve, katit përdhese dhe katit të parë dhe jemi në fazën finale kur shumica e punëve kanë përfunduar dhe maksimumi deri më 20 maj pacientët do të fillojnë ti marrin trajtimet në Klinikën e Onkologjisë e cila i ka rritur kapacitete dhe ka dyfishuar numrin e shtretërve për pacientët ambulatorë. Ne deri vitin e kaluar i kemi trajtuar pacientët me shërbimin e kimioterapisë me 45 shtretër nga maji do të trajtojmë rreth 100 pacientë, me 100 shtretër ose karrige onkologjike të cilat do të sigurohen të reja. Për fillim do ti kemi ato ekzistuese dhe disa shtretër kurse shumë shpejt do ti kemi edhe karriget e reja të cilat do të japin një komoditet shumë të mirë dhe një siguri shumë më të madhe për trajtimin e pacientëve. Të njëjtën kohë kemi pasur edhe rinovim të ambulantave specialistike për mjekët specialistë të cilët punojnë në klinikë ku do të ketë privatësi më shumë. Gjatë muajve në vazhdim do të kemi një digjitalizim të shërbimeve dhe do të kemi sistem kompjuterik të regjistrimit të këtyre pacientëve të cilët pastaj do të shpërndahen nëpër mjekë dhe do të marrin shërbimet sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve të mjekëve”, ka thënë Kurtishi.

Onkologu Kurtishi ka thënë se Ministria e Shëndetësisë kanë ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit. Ai ka treguar se janë rinovuar afër 2000 metra katror hapësira brenda Klinikës.

“Ministria e Shëndetësisë në bazë të projektit që ne kemi këtu dhe ShSKUK-ja kanë ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit që janë rinovu gati 2000 metra katror që është një rinovim shumë i domosdoshëm për klinikën tonë pasi që vazhdimisht kemi pasur kërkesa të tilla për zgjerimin e hapësirave duke u bazuar në faktin se numri i pacientëve të cilët kërkojnë shërbime onkologjike në Kosovë nga dita në ditë dhe nga viti në vit është në rritje dhe kjo sado pak do ti zbusë kërkesat e pacientëve tanë dhe do të krijojë një hapësirë shumë më moderne dhe shumë më efektive për trajtimin e pacientëve”, ka thënë Kurtishi.

Onkologu Kurtishi ka përmendur faktin se edhe në këtë klinikë si kudo në Kosovë ka mungesë të stafit por që sipas tij pritet që shumë shpejtë të zëvendësohen.

Kurtishi: Vetëm 3 muajt e parë 515 persona janë prekur me kancer, 10 për qind më shumë se vitin e kaluar

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka shprehur shqetësimin se numri i të prekurve me kancer po rritet vit pas viti.

Vetëm për tre muajt e parë janë identifikuar 515 pacientë të prekur me kancer, ka thënë Kurtishi për Ekonomia Online.

Sipas tij, nevojat për medikamente janë të mëdha, por qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me medikamente.

“Për momentin që flasin kemi diku rreth 92 përqind të furnizimit të barnave nga lista esenciale dhe presim shumë shpejtë që me ardhjen e disa barnave të cilët janë kontraktu nga ministria e Shëndetësisë dhe të cilët më herët kanë pasur probleme me autorizim marketingu ne do të kemi një furnizim me 97 ose 98 përqind, furnizimi është i rregullt është më i mirë se viteve të kaluara mirëpo edhe fakti që çdo ditë ne kemi numër të lartë të pacientëve të cilët kërkojnë shërbime onkologjike mund të ketë ndonjëherë edhe mungesa të kohë pas kohshme të vogla por këto katër muajt e parë të vitit 2024 ne jemi të mbuluar gati mbi 92 ose 93 përqind të barnave të listës esenciale”.

“Për tre muajt e parë që ne flasim kemi identifiku ose regjistru në klinikën e Onkologjisë rreth 515 vetë me kancer ose tumore te të rriturit që në krahasim me vitin e kaluar është diku 10 përqind më shumë do të thotë nëse ky trend vazhdon ne do të kalojmë edhe vitin 2023 i cili ka qenë viti me më së shumti raste të regjistruara të tumoreve, ka kapur shifrën e 2 100 pacientëve dhe këtë vit ky numër mund të kemi ndoshta numër edhe më të lartë”, ka thënë Kurtishi.

Të ngjashme