Deputetja Mimoza Kusari Lila, njëherësh kryetare e Alternativës, ka thënë se nëse edhe deklarimi publik i Prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, nuk e merr vëmendjen dhe trajtimin që duhet, “ne as nuk jemi për shtet dhe as nuk e kemi bërë shtetin tonë”.
“Le të rrahin gjoks gjithë jetën ‘Baballarët e Kombit’ për të arriturat e tyre, e ato të arritura janë: 19,000 veteranë të falsifikuar, shteti i kapur nga klani ‘Pronto’, sistemi i munguar i drejtësisë, Qeveria megallomane me shpenzime më të larta se të hyrat, sistem i arsimit dhe shëndetësisë të dëmtuara deri në palcë…. Këto janë vetëm disa nga të ‘arriturat’ e ‘Baballarëve’ tanë”, ka shkruar Kusari Lila.
Sipas saj, “fatura që po e paguan sot qytetari i Republikës është disproporcionalisht më e lartë se krejt “kontributet” e deklaruara të këtyre burrave (lexo: burrecave) që e zhvatin shtetin sikur çamçakëzin e dhuruar nga tjetërkush”.
“Qytetarë të Kosovës, mos u frikësoni se e humbim Veriun ose copë tjera të territorit të Kosovës, problemin nuk e kemi në Veri, por në kryeqendër të Kosovës, në Prishtinë”, ka thënë ajo, përcjell koha.net. “Pa e hequr kancerin e shoqërisë në qendër, asnjë hap tjetër për funksionalizim të shtetit nuk do të ketë sukses”, ka shtuar më pas Kusari – Lila.