Kusari-Lila: Po finalizojmë Ligjin për Tregtinë e Brendshme për të forcuar pozitën e produkteve vendore

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se institucionet janë duke punuar intensivisht për finalizimin e Ligjit për Tregtinë e Brendshme, i cili sipas saj do të forcojë pozitën e produkteve vendore në tregun e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, me rastin e Ditës Botërore të Qumështit, ajo njoftoi se ka marrë pjesë në mini-panairin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Gjakovë, ku janë promovuar produktet vendore të qumështit dhe puna e fermerëve e përpunuesve kosovarë.

“Me rastin e kësaj të dytës, sot mora pjesë në mini-panairin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Gjakovë, ku u promovuan produktet vendore të qumështit njëherësh edhe puna e palodhshme e fermerëve dhe përpunuesve kosovarë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo tha se gjatë takimeve me përfaqësues të sektorit janë diskutuar sfidat dhe mundësitë e industrisë së qumështit, duke e cilësuar atë si një sektor jetik për ekonominë e vendit.

“Theksova se jemi duke punuar intensivisht për finalizimin e Ligjit për Tregtinë e Brendshme, i cili do të forcojë pozitën e produkteve vendore në tregun e Kosovës, si dhe për Ligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, që do të sjellë më shumë siguri dhe korrektësi në marrëdhëniet ndërmjet bizneseve”, ka theksuar ajo.

Sipas Kusari-Lilës, si mbështetje konkrete për prodhuesit vendorë janë lansuar edhe skema të reja grantesh, përfshirë mbështetjen për gratë ndërmarrëse dhe gratë fermere.

“Si mbështetje konkrete për prodhuesit vendorë, sot lansuam edhe skemat e reja të granteve, përfshirë mbështetjen për gratë ndërmarrëse dhe gratë fermere, me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe fuqizimin e tyre ekonomik”, ka deklaruar ajo.

Ministrja në detyrë tha se mbrojtja e konsumatorit mbetet prioritet, duke shtuar se janë intensifikuar aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për identifikimin e qartë të produkteve me bazë bimore dhe atyre me bazë shtazore në markete.

“Industria e qumështit është një nga shtyllat kryesore të prodhimit vendor. Përmes reformave ligjore, granteve dhe politikave mbështetëse, po krijojmë kushte më të favorshme që produktet ‘Made in Kosova’ të jenë më të mbrojtura dhe më të pranishme në treg”, ka shtuar Kusari-Lila.

Të ngjashme