Kusari – Lila thotë se lirimi i TVSh-së për derivate dhe heqja e akcizës nuk mund të ndodhin

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Rritja e çmimit të naftës ka shqetësuar tejmase qytetarët e Kosovës. Për këtë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Tregtisë për marrjen e masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend pas rritjes së shpejt të çmimit të karburanteve, raporton Ekonomia Online.

Në këtë kërkesë sugjerohen katër masa urgjente që sipas tyre duhet t’i marrë Qeveria e Kosovës për të evituar pasojat ekonomike si rrjedhojë e shtrenjtimit të derivateve.

E për këtë sot u deklarua edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.

Në një konferencë, ajo u shpreh se heqja e TVSH-së dhe ajo e akcizës nuk mund të ndodhin.

Kusari-Lila theksoi se po mundohen që çmimet mos të rriten edhe më shumë, derisa e para e MINTI-t shtoi se ulje mund të ketë nëse kjo ndodh edhe në tregjet ndërkombëtare.

Ajo foli edhe për situatën e tanishme të cilën e cilësoi jashtë normales.

“Është një situatë kjo jashtë normales. Domethënë nuk po flasim për rrethana normale të lëvizjes së çmimit apo tendencës për abuzim nga operatorët ekonomikë, por po flasim për rrethanën kur në bursën ndërkombëtare e në të gjitha vendet të cilat lidhen drejtpërdrejt me bartjen apo transportin e naftës, përmes ngushticës së Hormuzit e cila tashmë është vatër e përplasjeve apo betejave, po infektohen drejtpërdrejt nga çmimi i ngritur i derivateve. Ne kemi qenë vendi i parë në rajon që kemi vendosur marzhën tavan mbi çmimin e importuar dhe ajo është, edhe njëherë më duhet ta ripërsëris, e bazuar në çmimin në kufi. Do të thotë çmimet luhaten apo çmimi ndryshon brenda varësisht prej çmimit të derivateve. Megjithatë efekti i rritjes së çmimit është ndjerë dhe do të ndjehet, ajo është e pashmangshme, thotë Kusari-Lila.

Ministrja u shpreh se kërkesa e opozitës për task-forcë do të mbetet prioritet i qeverisë.

“Prandaj njëjtë sikurse adaptohemi ndaj rrethanave me të cilat ballafaqohemi aty ku ne nuk jemi faktor por jemi vetëm absorbues të rrethanave që krijohen diku tjetër njëjtë duhet të jemi më të vëmendshëm në kuadër edhe të shpenzimit, por nëse ka rritje të mëtutjeshme natyrisht në zinxhirin e furnizimit, do të thotë që mos të ketë multiplifikim apo zinxhir të rritjes edhe tek produktet e tjera. Për këtë arsye, njëra prej kërkesave që ishte nga deputetët e opozitës për një grup të përbashkët apo një task-forcë të përbashkët, është dhe mbetet edhe në synimin tonë. Shumë shpejt ne do të dalim me një ftesë ku bashkë Ministria, Dogana, Administratat Tatimore, por natyrisht edhe organizatat e bizneseve, do të jenë në takim të përditshëm besoj për të përcjellë situatën edhe për të diskutuar për hapat e tjerë.
Sot fatmirësisht ka pasur një ulje prej 10% në tregjet botërore, që nënkupton se ka hapësirë ose ka shpresë për stabilizim. Të shohim se si do të rrjedhë situata, por që mbetemi të përkushtuar në fund të mbrojmë konsumatorët ose qytetarët. Domethënë ideja është që të ketë një garanci apo një masë shtesë për qytetarët e Republikës, natyrisht për ato më të domosdoshmet”, tha ajo.

Kusari-Lila tha se TVSH nuk ka qenë asnjëherë opsion.

“Ekziston një absurditet në Kosovë që numri më i madh i importit të produkteve të importuara janë veturat, e para, dhe e dyta pas veturave janë duhani dhe produkte të tjera të tabakos. Do të thotë është një… duhet seriozisht të rishikojmë e natyrisht edhe të udhëzojmë drejt diversifikimit edhe të burimeve të energjisë, por edhe të formës e mënyrës se si e planifikojmë transportin. TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë opsion për shkak se është shumë problem të përcillet TVSH-ja, pasi që është tatimi i vlerës së shtuar, është ajo çfarë paguhet nga qytetarët, do të thotë nga secili konsumator fundor”, u shpreh ajo.

Të ngjashme