Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer synon dëbime më të shpejta të atyre azilkërkuesve që kryejnë vepra penale. Por rregulloret se kur një azilkërkues duhet të dëbohet janë mjaft të detajuara.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer (CSU), azilkërkuesit duhet të dëbohen menjëherë, në rast se ata shkelin ligjin në Gjermani. Së shpejti, Seehofer do t’i paraqesë qeverisë gjermane propozime të reja për ndryshime të caktuara ligjore. Kërkesat e tij vijnë pas një sulmi të javës së kaluar në qytetin bavarez Amberg. Më 29 dhjetor, katër azilkërkues të alkoolizuar nga Siria, Afganistani, Irani të moshës 17-19 vjeç sulmuan kalimtarë në rrugë duke i qëlluar. 12 vetë u lënduan.
Aktualisht në Gjermani nuk ka të dhëna, se sa vetë dëbohen pas kryerjes së një vepre penale, në tërësi vitin e kaluar ka rënë numri i dëbimeve. Në gjysmën e parë të vitit 2018 u dëbuan 12.300 vetë, krahasuar me vitin 2017, një rënie me 2%. Edhe ligji gjerman si rregull i ndalon dëbimet, nëse personi që do të dëbohet, kërcënohet nga tortura apo vdekja në vendin e origjinës, ose nëse jeta e tij vihet në rrezik për shkak të fesë, racës, nacionalitetit, bindjes politike apo përkatësisë në një grup social.
Kush dëbohet nga Gjermania?
Të huajt që duan të jetojnë në Gjermani kanë nevojë për një leje qëndrimi, refugjatët dhe azilkërkuesit marrin vetëm një leje të përkohshme qëndrimi, për sa kohë, që trajtohet kërkesa e tyre. Në rast se kërkesa e azilit refuzohet, ata nuk kanë më të drejtë qëndrimi dhe duhet ta braktisin Gjermaninë brenda një afati të caktuar, (jo më larg se 6 muaj). Nëse ky afat skadon, atëherë ata dëbohen me detyrim nga Gjermania në vendin e origjinës.
Çfarë ndodh me të huajt që kryejnë krime?
Një person, i cili gjatë kohës së trajtimit të kërkesës së azilit dënohet me burgim të paktën deri në tre vjet, duhet teorikisht të dëbohet. Për personat e tjerë, që dënohen për vepra penale të vogla, ose nëse ata shihen si kërcënim për rendin publik, vendosin autoritetet vendore për dëbimin e tyre. Vendimi i tyre bazohet në dy faktorë: Sa e rëndë ka qenë vepra penale e kryer dhe sa e lartë është nevoja për mbrojtjen e të dënuarit që duhet dëbuar? Një person, që ka kryer vetëm shkelje ligjore, dhe që në vendlindje kërcënohet nga tortura apo vdekja nuk dëbohet. Tek një i huaj me familje gjermane me një vend pune të caktuar, shansi për dëbim është po ashtu i vogël, nëse ai nuk ka kryer një krim të rëndë.
Një rregullore e përgjithshme thotë, se të huajt që të paktën dënohen me dy vjet heqje lirie mund të dëbohen. Edhe një vit dënim përbën arsye dëbimi, nëse vepra penale e kryer është pjesë e një katalogu veprash penale, që u krijua pas sulmeve të Vitit të Ri 2015/2016 në Köln. Atëherë një grup migrantësh afrikanoveriorë apo arabë sulmuan apo ngacmuan seksualisht femrat. Ky katalog përmban vepra penale si lëndim trupor, delikte seksuale apo rezistencë kundër autoriteteve përmbaruese.
Kush vendos se kush dëbohet?
Dy autoritete e kanë kompetencën për dhënien e vendimit të dëbimit nga Gjermania – zyra e te huajve, që është pjesë e qeverive të landeve federale dhe Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët, BAMF. Në shumicën e rasteve zyra e të huajve është përgjegjëse për dhënien e zbatimin e urdhëresave të dëbimit, por në procesin e trajtimit të kërkesës së azilit, është BAMF, që ka po ashtu të drejtë, pas refuzimit të kërkesës, të kërkojë dëbimin. Edhe në raste të tilla, zbatimin e bën zyra e të huajve të landit federal, ku qëndron personi.
Për shkak se ka shumë njerëz që nuk duan të largohen vullnetarisht, zyra e të huajve thërret si ndihmë policinë. Procesi i dëbimit është detyrë e kontrollit kufitar, dëbimet kryhen nga Policia Federale, që siguron kufijtë e vendit. Por autoritetet mund të bëjnë edhe kërkesë në gjykatë për „mbajtje në burg para dëbimit” që mund të zgjasë deri në 18 muaj. Kjo, në rast se ata kanë të dhëna se personi mund të fshihet.
A kanë të drejtë të prekurit të apelojnë vendimin?
Po. Personat, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit, mund të ankohen tek Gjykata Administrative, që verifikon vendimin e autoriteteve. Por atyre që iu është refuzuar kërkesa „dukshëm e pajustifikuar”, kanë vetëm një javë kohë të apelojnë, të tjerët vetëm dy javë. Vitet e kaluar, punonjësit e mbingarkuar të BAMF duket se kanë marrë vendime të gabuara vitet e fundit. Shumë azilkërkues ankimojnë vendimet, e deri në vendimin e gjykatës mund të qëndrojnë në Gjermani.
Cilat janë arsyet që sjellin shtyrjen e dëbimit?
Mes atyre që janë të detyruar të braktisin Gjermaninë, shumë nuk dëbohen, kur janë të sëmurë fizikisht apo kanë probleme psikike, ose sepse u mungojnë dokumentet e identitetit, si pasaporta apo karta e identitetit. Por edhe personat që fillimisht lejohet të qëndrojnë, mund të dëbohen. Kjo ndodhi me refugjatët e luftërave të Ballkanit në vitet 90-të. Refugjatët nga ish-Jugosllavia duhet të ktheheshin në shtëpi, pas stabilizimit të situatës në vendlindje. /DW/