Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet më 16-17 maj në Sofje, sot i dha dritë të gjelbër edhe Kosovës.
Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, sot zyrtarisht e ftoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të jetë pjesëmarrës në këtë samit.
“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete. Kurse për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha Borisovi.
Është raportuar se në këtë samit mund të shkojë kryeministri Ramush Haradinaj, por se nuk lejohet që të marrin pjesë dy liderë nga një shtet.
Nga zyra e kryeministrit, për Koha.net kanë thënë se nuk mund të konfirmojnë a do të jetë pjesëmarrës Ramush Haradinaj, por se për ta, mbetet lajm i mirë pjesëmarrja e Kosovës.
Në faqen zyrtare të Samitit të Sofjes, është bërë e ditur se në këtë Samit, mund të marrin pjesë: Krerët e shteteve ose qeverive nga shtetet anëtare të BE-së.
Takimi i cili do të mbahet në Sofje, organizohet nga kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, i cili aktualisht mban Presidencën e Këshillit.
Presidenti i këshillit Evropian, Donald Tusk, do të kryesojë takimin i cili bashkë me presidentin e komisionit evropian, Jean-Claude Juncker, do ta përfaqësojnë BE-në.
Të pranishëm, pritet të jenë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn.
Kujtojmë se Kosova përbënte temë diskutimi në këtë samit, për pesë shtete të BE-së, siç janë, Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.