Kush e fitoi garën parazgjedhore të Kosovës në rrjetet sociale

Prishtinë | 17 Maj 2021 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Përdorimi i rrjeteve sociale, e sidomos i Facebook-ut si rrjeti më i popullarizuar në Kosovë, është̈ bërë një domosdoshmëri për politikanët, të cilët janë goxha të varur nga kjo formë e komunikimit, për të qenë më afër me qytetarët dhe sa më të pranishëm në jetën publike. Veçanërisht, ky komunikim virtual, merr intensitet të shtuar në kohën e fushatave zgjedhore politike. Të gjitha rrjetet sociale ‘vlojnë’ nga postimet e shumta politike. Kosova mbajti zgjedhjet e fundit parlamentare me 14 shkurt 2021. Ky hulumtim është koncentruar vetëm në rrjetin social Facebook dhe sjellë të dhëna interesante sa i përket formës së përdorimit të këtij rrjeti nga politikanët shqiptarë të Kosovës dhe ndërveprimit të tyre me opinionin publik.

Të gjithë në rrjetet sociale! Të gjithë kanë për të thënë diçka. Shumë nga ata që postojnë, edhe mund të mendojë se po ‘flasin’ me një numër të madh të qytetarëve, të paktën me të gjithë ata që janë përcjellës (followers) të tyre. E vërteta është më ndryshe. Facebook, ka disa limite që ndalojnë shfaqjen e një postimi tek të gjithë ndjekësit. Por, po ashtu, jep edhe mundësinë që të përçohet mesazhi edhe përtej numrit të ndjekësve. Kjo bëhet nëpërmes pagesës (sponsorizimeve), dhe postimi shfaqet te më shumë përdorues të rrjetit e madje edhe te kategori të përzgjedhura. Pos kësaj, për politikanët, në shumë raste Facebook është shndërruar në ‘foltoren e konferencave mediatike’, pasi adresimet që ata bëjnë, merren direkt nga mediat, duke u krijuar politikanëve dy favore njëkohësisht: E para, ua mundësojnë shfaqjen më të gjerë publike, dhe e dyta, transmetohet vetëm ajo që politikani ka shkruar, pa pasur asnjë mundësi që ai të pyetet nga gazetarët për çështje të ndryshme.

Si rrjedhojë, përdorimi më i shpeshtë i Facebook-ut nga politikanë është i shpeshtë dhe dinamik. Por më shumë kjo formë komunikimi, vjen në shprehje gjatë kohës së fushatës elektorale dhe manifestimeve të tjera politike. Gjithsesi edhe në kohën kur s’ka fushatë parazgjedhore, komunikimi i këtij lloji, është goxha popullor.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë patën dhjetë ditë fushatë. Nga data 2 deri më 12 shkurt, u konsideruan ditët legale të saj. Ndryshe, edhe parafushata ishte intensive. Por, hulumtimi i këtij shkrimi, është përqendruar vetëm në këto dhjetë ditë, për të parë, matur e testuar, se cili mund të ketë qenë efekti i komunikimit publik virtual, mes politikanëve, partive politike në njërën anë dhe qytetarëve në anën tjetër.

Sa për të kujtuar, rezultati përfundimtar, i dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë: 48% e trupës votuese morën pjesë në zgjedhje, apo mbi 840 mijë persona nga rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Fitues i këtyre zgjedhjeve u shpall koalicioni Lëvizja Vetëvendosje dhe lista e krijuar nga Vjosa Osmani – Sadriu me 50.28% të votave, të cilat iu përkthyen me 58 deputetë. E dyta doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17.09% me 19 ulëse të deputetëve. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12.73% u rendit partia e tretë me 15 deputetë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fitoi 7.12% – 8 deputetë. Pjesën tjetër të parlamentarëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që janë gjithsej 120, e plotësojnë subjektet politike minoritare.

Kandidatët për kryeministër – shfaqja në Facebook

Gjatë këtyre zgjedhjeve kandidatët për kryeministër nga partitë politike, kanë përdorur profilet e tyre në Facebook, për të paraqitur programet dhe për të promovuar takimet me qytetarë, të cilat kësaj radhe kanë qenë edhe të kufizuara për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.

Nga data 2 deri me 12 shkurt, përkatësisht gjatë kohës së fushatës zgjedhore, kandidatët për kryeministër kanë përdorur në nivele të ndryshme profilet e tyre në rrjetin social Facebook.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LVV-Lista, Albin Kurti në këtë periudhë ka pasur gjithsej 24 postime. Njëkohësisht, është interesant se Kurti, fitues dominant i këtyre zgjedhjeve, ka qenë përdoruesi më i vakët i Facebook. Nga këto 24 postime, ai ka shpërndarë foto e video, por nuk ka shkruar ndonjë status të pashoqëruar me foto apo video. Secili nga postimet e tij, është përcjellë me një vistër pëlqimesh (like), shpërndarje e komente. Nga hulumtimi, del se Kurti nuk ka shpenzuar mjete financiare në këtë rrjet, pasi nuk ka sponsorizuar asnjë nga publikimet që ka bërë. Në llogarinë personale në Facebook, Kurti sot ka 491,442 ndjekës (followers) dhe është personaliteti politik më popullor në vend.

Fotoja me më së shumti pëlqime, është ajo e publikuar më 8 shkurt 2021, e cila ka marrë mbi 26 mijë sosh. E njëjta kishte 962 komente dhe 683 shpërndarje.

Videoja e publikuar më 11 shkurt ka marrë mbi 25 mijë pëlqime, një tjetër e publikuar më 12 shkurt ka marrë mbi 11 mijë komente, e cila po ashtu ka qenë 1 mijë e 900 herë e shpërndarë.

Kandidatja për presidente nga koalicioni LVV-Lista, Vjosa Osmani – Sadriu, gjatë 10 ditë të fushatës ka bërë gjithsej 61 postime.

Një nga fotot e publikuar më 4 shkurt ka thyer rekordin sa i përket fotove të Osmani – Sadriut. Ajo ka marrë mbi 30 mijë pëlqime e mbi 1 mijë e 800 komente. Ndërsa videoja e publikuar nga Osmani, e datës 12 shkurt ka marrë mbi 35 mijë pëlqime dhe mbi 6 mijë e 700 komente. Llogaria e Vjosa Osmanit në Facebook përcillet nga 347,488 profile të regjistruara në këtë rrjet social.

Numër edhe më të madh të postimeve se Kurti e Osmani në Facebook, ka bërë kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike (PDK), Enver Hoxhaj. Ai ka gjithsej 77 publikime. Nga to fotoja më e pëlqyer ka qenë e publikuar më 7 shkurt, e cila ka mbledhur mbi 10 mijë e 600 pëlqime, por ka përfunduar me vetëm 329 komente.

Ndërsa, videoja më e pëlqyer e shpërndarë nga Hoxhaj dhe më e shikuara, ka marrë mbi 5 mijë e 100 pëlqime, 398 komente, 235 rishpërndarje, dhe rezulton të jetë shikuar mbi 500 mijë herë. Hoxhaj bënë pjesë në mesin e kandidatëve për kryeministër të Kosovës i cili ka bërë disa sponsorizime për të rritur vizibilitetin e publikimeve të tij, gjatë 10 ditëve të fushatës. Hoxhaj ka një llogari personale e cila ka edhe numër goxha të ulët të përcjellësve, meqë janë vetëm 77,683 ndjekës. 

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti është rekordmeni apsolut i përdorimit të llogarisë së tij në Facebook gjatë 10 ditëve të fushës zgjedhore zyrtare. Ai ka pasur plotë 218 postime. I bie që Hoti, ka bërë 21 postime në ditë, ose afërisht në çdo një orë brenda ditës ka shpërndarë diç për të komunikuar me ndjekësit e tij dhe qytetarët nëpërmes llogarisë në Facebook. Sidoqoftë, rezultati, jo vetëm zgjedhor, por edhe i impaktit në publik, ka qenë mjaft më i ulët krahasuar me kundërkandidatët e tij. Gjithashtu, Hoti ka bërë disa sponsorizime, mënyrë që e mundëson Facebook për të arritur shikueshmëri dhe depërtueshmëri më të lartë te audienca.

Nga të gjitha këto shpërfaqje publike, fotoja e 4 shkurtit e shpërndarë nga Hoti, ka arritur më së shumti pëlqime, 14 mijë e 200 sosh. E njëjta ka marrë dhe 3 mijë e 400 komente dhe 190 shpërndarje. Ndërsa, videoja e 9 shkurtit ka arritur 30 mijë e 100 shikime, e njëjta ka marrë dhe mbi 1 mijë pëlqime dhe 301 komente, e gjithashtu mbanë primatin me më së shumti shpërndarje – 299 gjithsej. Llogaria e Hotit, përcillet nga 83,569 përdorues të regjistruar në këtë rrjet.

Bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në këto zgjedhje, kandidat për president të vendit nga ky subjekt, Ramush Haradinaj ka bërë 75 postime. Në mesin e tyre, fotoja me përshkrim më e ndjekur ka dalë ajo e publikuar më 9 shkurt e cila ka marrë 9 mijë e 600 pëlqime. Fotoja më e komentuar ka qenë e publikuar më 11 shkurt edhe ka marrë mbi 3 mijë e 200 komente, dhe ajo më e shpërndara është e datës 12 shkurt e cila arriti të rishpërndahet 466 herë.

Videoja e publikuar nga Haradinaj më 2 shkurt, ka marrë mbi 10 mijë e 300 pëlqime, e që gjithashtu ka qenë 753 herë e rishpërndarë. Sa i përket komenteve, rezultatin më të mirë e ka ajo e publikuar me 3 shkurt që ka pasur mbi 7 mijë komentime. Videoja më e shikuar e publikuar nga Haradinaj më 10 shkurt ka arritur të marrë 845 mijë shikime. Edhe Haradinaj, sikurse Hoxhaj e Hoti, kanë shpenzuar mjete financiare në këtë rrjet duke sponsorizuar postimet e tyre. Llogaria e Haradinajt në Facebook, përcillet nga 262,372 qytetar.

Duke qenë se pos Hotit, kandidatët e mësipërm, janë edhe kryetar të partive politike, brenda këtij hulumtimi është përfshirë edhe aktiviteti i Isa Mustafës, në atë kohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në Llogarinë e tij, Mustafa ka 70,260 ndjekës. Ai nuk ishte tërësisht pa aktivitet në rrjetet sociale. Mustafa u mundua modestisht ta ndihmoj LDK-në dhe Avdullah Hotin kandidat për kryeministër nga ky subjekt, duke shkruar herë pas here. Gjatë fushatës Isa Mustafa ka pasur gjithsej pesë publikime në Facebook. Nga to, statusi i publikuar më 7 shkurt ka marrë mbi 2 mijë e 900 pëlqime. Ai i publikuar më 10 shkurt ka marrë mbi 2 mijë e 100 komente dhe ka qenë 131 herë i rishpërndarë. Mustafa nuk ka publikuar asnjë foto dhe asnjë video.

(Në këtë tabelë është shfaqur vetëm foto dhe videoja më e pëlqyer në facebook-un e kandidatëve)

Sipas këtyre të dhënave del se Avdullah Hoti nga LDK, Ramush Haradinaj nga AAK dhe Enver Hoxhaj nga PDK, kanë numrin më të lartë të postimeve në krahasim me kandidatin nga LVV-dhe Lista e Vjosa Osmanit, apo fituesin e zgjedhjeve Albin Kurtin. Mirëpo, dallimi qëndron në shtrirjen e pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve, e në këtë rast Kurti, ka dyfishin e tyre në krahasim me kandidatët e tjerë.

Pavarësisht nga këto shifra të publikimeve nga kandidatët për kryeministër të mundshëm dhe kryetarët e partive politike, asnjëri nuk ka pasur interaktivitet me votuesit potencial, apo komuentuesit, duke e bërë komunikimin njëkahor.  

Në fushatë “ndezja” komunikuese në rrjetet sociale bëhet edhe nga partitë politike

Sikur edhe kandidatët për kryeministër, njëjtë vepron pothuajse secili prej garuesve për deputet. Jashtë aktivitetit nuk mbesin as llogaritë e partive politike që kanë adresë në Facebook. Në disa raste, subjektet politike në Kosovë, dhe jo vetëm, angazhojnë ndonjë kompani për të menaxhuar rrjetet e tyre sociale, për të qenë në trend me kohën. Njëra nga to që e pranon këtë është edhe AAK, e cila në gjatë fushatës së fundit kishte angazhuar një kompani për menaxhimin e rrjeteve sociale.

“Në Aleancë kemi departamentin e veçantë për menaxhim të rrjeteve sociale, i cili vepron gjatë tërë kohës. Mirëpo, gjatë fushatave zgjedhore angazhojmë edhe kompani konsulente, të cilat janë të specializuara në menaxhim të rrjeteve sociale. Në shumicën e rasteve kandidatët për deputetë profilet e tyre në rrjetet sociale i menaxhojnë̈ personalisht për shkak se shumica janë të mirëinformuar sa i përket teknologjisë”, thonë nga zyra e medieve të AAK-së.

Mirëpo, disa prej tyre kanë edhe njerëz të profilizuar për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrjeteve sociale. LVV edhe PDK janë dy nga partitë, të cilat kanë deklaruar se nuk kanë angazhuar asnjë kompani për këtë çështje, për shkak që kanë njerëz brenda partive, të cilët janë ekspert të fushës.

Megjithatë, në LVV, konsiderojnë se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarë gjatë fushatës zgjedhore nuk zëvendësohet me atë përmes rrjeteve sociale.

“Si Lëvizje Vetëvendosje, jemi rritur në takime e tubime direkt me qytetarët, ato janë të pazëvendësueshme, janë të një tjetër lloji. Por, po ashtu janë kategori të ndryshme njerëzore ata që takohen direkt nëpër lagje e fshatra për dallim me ata në rrjetet sociale”, është deklaruar Arlind Manxhuka nga zyra për informim e LVV-së.

Gjithashtu, edhe nga AAK thonë se është i pakontestueshëm komunikimi direkt me qytetarë nëpër takime tradicionale, mirëpo sipas tyre përdorimi i rrjeteve sociale “është kursim në kohë dhe shpenzime”.

“Sigurisht që asgjë nuk e zëvendëson kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët, mirëpo agjenda e ngjeshur me aktivitete, pamundëson një gjë të tillë. Njëra ndër përparësitë e komunikimit nëpërmes rrjeteve sociale, është kursimi në kohë dhe shpenzime. Tanimë, të gjithë e dimë se mjetet klasike për komunikim si; TV dhe Radio përdoren shumë më pak nga qytetarët, ndërkaq Facebook përveç postimeve (foto, video), mundëson edhe ‘live stream’, e cila në fushatën e fundit është përdorur në masë të madhe për shkak të kostos së ulët”, janë shprehur nga AAK.

Ngjashëm mendojnë edhe strukturat e PDK-së.

“Asnjëri lloj i komunikimit nuk mund ta zëvendësoj tjetrin. Unë i shoh vetëm të dy format në një lloj ndërveprimi për t’u arritur efektet e duhura në komunikim. Por, të dy ndaras, kanë përparësitë dhe mangësitë. Përparësia e komunikimit online është se kushton më lirë, është i shpejtë dhe arrin në një kohë të shkurtër te një numër i madh i njerëzve, ndërsa mangësi është se mungon kontakti i drejtpërdrejt. Kurse tek komunikimi direkt, përparësi takimi nga afër me njerëz, duke parë edhe emocionet e tyre, kërkesat e nevojat”, thotë Bashmir Xhemaj, drejtor për komunikim në PDK.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara nga studentët e UBT-së.

(Në këtë tabelë është shfaqur numri i postimeve i partive politike në faqet e facebook-ut)

Për komunikimin online virtual, ende shumë për të mësuar

Në fushën e komunikimit në rrjetet sociale, siç është edhe ky nëpërmes facebook-ut, ka mendime se ai mund të avancohet dhe se Kosova nuk ka arritur ende në nivelin e tillë kulturor e politik të një komunikimi të mirëfilltë.

Violeta Hyseni – Kelmendi, gazetare me përvojë të gjatë dhe njohëse e fushës së komunikimit, ka thënë se partitë politike, kryesisht kandidatët e tyre për kryeministër, për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto të fundit i kanë përdorur më tepër rrjetet sociale.

“Këtë vit ka pasur një trend në rritje të përdorimit të rrjeteve sociale gjatë fushatës zgjedhore nga subjektet politike. Besoj që ka disa arsye pse ka ndodhur kjo: 1) për shkak se komunikimi me elektoratin përmes rrjeteve sociale tashmë është i pashmangshëm në epokën digjitale dhe partitë e kanë kuptuar; 2) për shkak të pandemisë, njerëzit janë mësuar të funksionojnë më shumë online dhe kjo i ka ndihmuar edhe subjektet politike që më lehtë t’iu qasen atyre”, ka thënë Hyseni–Kelmendi.

Ajo ka potencuar se edhe kostoja e organizimit të aktiviteteve përmes rrjeteve sociale është më e ulët. Gjithashtu, trendi i rritjes së përdorimit të rrjeteve sociale në zgjedhjet e fundit, sipas Hyseni-Kelmendit është edhe për shkak se diaspora nuk ka mundur të vijnë shkaku i masave pandemike, po ashtu edhe është targetuar rinia dhe njerëzit e papunë.

“Mendoj që subjektet tona politike gradualisht po i përshtaten epokës digjitale, por gjithsesi ka nevojë që të investojnë më shumë në këtë fushë. Për të komunikuar në mënyrë proaktive dhe për të zhvilluar aktivitete që tërheqin vëmendjen e qytetarëve, nevojitet të angazhohet një ekip profesional që mund të zhvillojë produkte multimediale”, është shprehur Violeta Hyseni – Kelmendi.

Sipas njohësit të komunikimit masiv, Dren Gërgurit, politikanët janë duke e kthyer vëmendjen tek rrjetet sociale vetëm gjatë kohës së fushatës.

“Më shumë politikanët po e kthejnë fokusin tek media sociale gjatë fushatës zgjedhore. Nga viti 2017-2021 kishim tre palë zgjedhje dhe nga këto parti u shfrytëzua media sociale për të përcjellë njoftime, ashtu edhe shpjegim të programeve dhe atë çka e bën një parti politike të jetë e duhura, pra reklamimin e tyre të cilin e bëjnë përmes medieve”, ka thënë Gërguri.

Ai e sheh rrjetin social facebook si më të përdorurin në Kosovë nga politikanët, të cilët e shërbejnë për të shkëmbyer komunikim me simpatizantët e tyre.

“Partitë politike duhet të punojnë më shumë që të shfrytëzojnë medien sociale për një komunikim, i cili do ishte edhe interaktiv. Kryesisht tek ne si rrjet komunikimi nga akterët politikë përdoret për shembull facebook, e cila është media më e popullarizuar sociale dhe ky përdorim është në formën e dërgimit të mesazhit nga politikani tek audienca, por nuk ka ndonjë interaktivitet në mes tyre. Media sociale ka krijuar një rrjet ku jo vetëm të dërgoj mesazh, por edhe të komunikosh me shikuesit e dëgjuesit, pra ofron interaktivitet”, shprehet ai.

Rrjetet sociale janë një platformë e mirë për subjektet politike, sipas ekspertëve, ato kanë shënuar një rritje viteve të fundit, si një mundësi e mirë për të bërë fushatë elektorale, por nga ana tjetër për ta keqpërdorur për manipulim të votuesve.

Bazuar në të gjeturat e hulumtimit, rezulton se garën në rrjetin social Facebook gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, e fitoi LVV dhe Lista e Vjosa Osmani – Sadriut. Ndonëse patën paraqitje shumë më të paketa sesa rivalët e tyre politik, ky grupacion ishte dominant në këtë rrjet social.

Publikimet e shpeshta të ish kandidatit për kryeministër nga LDK Avdullah Hotit, treguan në vetvete se nuk përbënë domosdoshmërisht avantazh karshi oponencës. Ai kishte nëntë herë më shumë postime se rivali i tij Albin Kurti, por reaksioni qytetar mbi këto publikime të Hotit ishte shumë më i ulët se te Kurti, që doli edhe fitues i zgjedhjeve.

Hulumtimi nxjerrë në pah edhe të dhënën interesante se as partitë politike, as kandidatët për kryeministër e as kryetarët e subjekteve politike, nuk u përgjigjen në çështjet që ngritën qytetarët komentues si ndjekës të tyre.

Të ngjashme