Tiketa është paguar në një qytezë, dhe tashmë dy javë askush nuk po lajmërohet. Lotaria po përgatitë fishekzjarrë për të.
Lotaria Kombëtare e Finlandës “Veikkaus” ka kumtuar se ende e pret fituesin misterioz i cili në tërheqjen e 9 shkurtit e fitoi Eurojackpot-in në vlerë prej 90 milionë euro gjë që, njëkohësisht është edhe fitimi më i madh në histori të këtij vendi.
Tiketa fituese është paguar në një supermarket Prisma në qytetin Liomaa, në veriperëndim të Finlandës, në të cilin jetojnë rreth 16.000 banorë. Në tiketë është zgjedhur mundësia e “lojës grupore” në të cilën disa lojtarë mund të paguajnë një tiketë të përbashkët, duke i ndarë shpenzimet dhe fitimin eventual, që do të thotë se është e mundur se nuk bëhet fjalë vetëm për një lojtar por për disa sosh.
Pasi fituesi apo fituesit fatlumë nuk janë anëtarë të programit të besnikërisë së Lotarisë Kombëtare të Finlandës dhe gjatë pagesës nuk është përdorur “karta e besnikërisë”, identiteti i lojtarit ende nuk është i njohur. “Sikur të ishin lojtarët anëtarë të programit të besnikërisë, premia do të ishte paguar në mënyrë të drejtpërdrejt në llogaritë e tyre bankare”, kanë porositur nga Lotaria finlandeze, transmeton Insajderi.com.
Lojtari apo lojtarët fatlumë, kanë afat prej një viti për tërheqje të fitimit, dhe gjithashtu mund ta bëjnë këtë edhe në arkën e Lotarisë finlandeze në Helsinki, me prezantim të vërtetimit fitues. Kjo është premia e 14 e fituar në lojën e Eurojackpot-in në Finlandë, dhe për të festuar fitimin më të madh në histori të vendit të tyre, fundjavën e ardhshme lotaria Veikkaus do të organizojë fishekzjarrë dhe festë pikërisht në qytetin e milionerit misterioz.
“Shpresojmë se fishekzjarrët do t’i zgjojën fituesit dhe ata do të lajmërohen, në mënyrë që së bashku ta pimë kafen tradicionale të cilën e pimë me fituesit tanë. Është e njohur se finlandezët janë në mes të kafe pirësve më të mëdhenj në botë”, kanë porositur nga Lotaria e Finlandës.