Kush janë ministrat dhe deputetët e pushtetit që tërhoqën mijëra euro nga Trusti, e sot po e kundërshtojnë?

Prishtinë | 22 Maj 2022 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional, që po kundërshtohet nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës “Guxo”, do të përcillet edhe me protesta nga qytetarët. Protesta është thirrur për të enjten në ora 12:00.

Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale do të shqyrtohet javën e ardhshme, me 25 maj në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejtë ta sjellë në Kuvend këtë projektligj për shqyrtim, meqë është nevojë emergjente për shumë qytetarë tërheqja e këtyre parave.

Një ditë pas shqyrtimit të këtij projektligji, qytetarët do të protestojnë në sheshin e Prishtinës, për të kërkuar nga deputetët votimin e Projektligjit për tërheqje 30 për qind të mjeteve nga Trustit.

“Pra të enjten protestojmë në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 % të Trustit!”, shkruhet në grupin “Pro Tërheqjes 30% të Trust-it”.

Grupi në fjalë ka 26 mijë anëtarë të regjistruar në faqen në Facebook të cilët janë ftuar për të marrë pjesë në protestë.

Megjithëse tani po e kundërshtojnë tërheqjen e këtyre mjeteve, shtatë deputetët të LVV-së dhe Listës “Guxo” i kishin tërhequr 10 për qind të parave nga Trusti në viti 2020.

Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Visar Korenica, Jeta Statovci, Adnan Rrustemi e Arijeta Rexhepi kishin tërhequr 10 për qind të mjeteve nga Trusti.

Bazuar në deklarimet e pasurisë më 2021, disa ministra e deputetë të pushtetit aktual kanë tërhequr rreth 11 mijë euro më 2020.

Zyrtarët e LVV-së dhe Listës “Guxo” dhe shuma që ata kanë tërhequr nga Trusti:

Ministrja Albulena Haxhiu ka tërhequr nga Trusti, 2 mijë e 390 euro.

Ministri Liburn Aliu, 2 mijë e 658 euro

Ministri Faton Peci, 918 euro.

Deputeti Adnan Rrustemi, 2 mijë e 84 euro

Deputetja Arijeta Rexhepi, 1 mijë e 200 euro


Visar Korenica, 1 mijë e 762 euro


Ndërsa, deputetja Jeta Statovci ka tërhequr 480 euro.

Mjete nga Trusti gjatë viti 2020 kanë tërhequr edhe deputetë të partive opozitare.

Kujtojmë që në korrik të vitit 2020, është miratuar projektligji për tërheqjen e 10 përqindshit nga Trusit Pensional. 

Të ngjashme