Agjencia kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimet e pasurisë për zyrtarët publikë.
Nga 21 ministri, deklarimet e pasurisë janë bërë të ditura për krerët 19 prej tyre, përderisa nuk figurojnë të dhëna për Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi dhe atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
E në mesin e ministrave që deklaruan pasuritë e tyre ka edhe milionerë!
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli – biznesmen i njohur kosovar – kryeson për nga shuma e pasurisë.
Në deklarimin e tij figurojnë mbi 203 milionë euro pasuri në prona të paluajtshme, rreth 10 milionë e 500 mijë euro pasuri e luajtshme, para të gatshme nëpër institucione financiare gati 5 milionë euro dhe të hyra vjetore nga biznese të ndryshme mbi një milionë euro.
Detajet e deklarimit të pasurisë së Pacollit në Agjencinë kundër Korrupsionit mund t’i shihni këtu.
Veç Pacollit, sipas publikimeve të Agjencise kundër Korrupsionit, edhe tre ministra janë milionerë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka të deklaruar mbi 2 milionë euro pasuri të paluajtshme, 10 mijë euro pasuri e luajtshme, mbi 3 mijë euro para të gatshme në institucione financiare dhe të hyra vjetore mbi 39 mijë euro.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar mbi 1 milion euro pasuri të paluajtshme, para të gatshme mbi 9 mijë euro dhe të hyra vjetore 34 mijë e 677 euro.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar 1 milion e 780 mijë euro pasuri në prona të paluajtshme, 41 mijë e 300 euro në prona të luajtshme, para të gatshme mbi 14 mijë euro dhe të hyra vjetore 22 mijë euro.
Me nga 700 mijë euro pasuri të paluajtshme të deklaruara renditen Dijana Zhiviq, Bedri Hamza e Rrustem Berisha, të cilët gëzojnë edhe prona të luajtshme e para të gatshme.