Përkundër që kanë mbetur edhe 7-8 muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, është ashpërsuar gara për kandidatin që do ta sfidoj Shpend Ahmetin për kryetar të Kryeqytetit.
Gazeta Blic nga burime brenda kësaj partie ka marrë vesh se në strukturat e kësaj partie, ka filluar një iniciativë që për kandidat të propozohet njëri nga deputetët e kësaj partie. Fjala është për deputetin Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën Leka.
“Disa nga strukturat e njërës prej degëve të LDK-së në Prishtinë kanë filluar diskutimet që të ndërmarrin një iniciativë për të propozuar Ibishin për kryetar të Prishtinës. Ende nuk ka asgjë konkrete dhe përfundimtare, mirëpo ditëve në vijim sipas të gjitha gjasave, kjo iniciativë do të bëhet edhe publike”, tha ky burim i Gazetës Blic brenda LDK-së.
Në anën tjetër, Nuridin Ibishi ka theksuar se ai nuk është kandidat, mirëpo nuk e ka mohuar dëshirën për të qenë në garë.“Nuk jam kandidat për kryetar të Prishtinës nga LDK”, tha ai.
Ndërkaq, i pyetur se a do të pranonte t’i hynte kësaj gare nëse do të propozohej nga partia, ai tha “ka shumë kandidat para meje, kështu që nuk më vie rendi dot”. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe ish- kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri sipas burimeve të Gazetës Blic është duke e menduar rikthimin në Kryeqytet.
“Ismet Beqiri po lobon vazhdimisht në strukturat e partisë që të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës”, tha ky burim.Në anën tjetër, në garë për këtë post nga LDK janë edhe dy nga bashkëpunëtorët më të afërm të Isa Mustafa. Bëhet fjalë për zëdhënësin e Qeverisë, njëherësh ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe këshilltarin e kryeministrit, Sokol Havolli.
Ndryshe, sot edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka shprehur ambicie që të garojë për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së. Në një intervistë të dhënë për media, tha se ai është i gatshëm që të garoj në zgjedhjet lokale