Kush po e vret ekonominë?

Tiranë | 31 Mar 2017 | 15:19 | Nga Eleina Qirici

Ekonomia legale në agoni, për shkak të ekonomisë së nëndheshme, apo ekonomisë së zezë, si produkt i politikave të gabuara të qeverisë.

Shteti dhe vetëm shteti është ai që vret ekonominë. Ky do të ishte në fakt epilogu për këtë shkrim, por ky shkrim e gëzon këtë veçanti, që për prolog dhe epilog të ketë ‘shtetin’ që vret ekonominë.

Ekonomia e nëndheshme konsiderohet ajo ekonomi, veprimtaria e së cilës ushtrohet në formë të paligjshme dhe klandestine.

Ky sektor i veprimtarisë ekonomike, ndërkohë që duhet të ishte pjesë përbërëse e produktit zyrtar kombëtar, përderisa krijon vlerë të shtuar, nuk është e mundur që të matet dhe të regjistrohet nga shërbimet zyrtare statistikore shqiptare, ndërsa fondet e shërbimeve konsumatore shfaqen shumë më të larta se sa të ardhurat në total të regjistruara zyrtarisht.

Ekonomia e nëndheshme në Shqipëri përbën një përqindje të madhe të aktivitetit real ekonomik në tërësinë e tij, një ekonomi reale që përbëhet nga ajo zyrtare (ekonomia e matshme), jozyrtare (ekonomia informale) dhe ekonomia e nëndheshme (mes aktesh legale dhe ilegale).

Shkaqet kryesore të ekzistencës së ekonomisë së nëndheshme në Shqipëri janë: *shkalla e ndërhyrjes shtetërore (kufizimet, ndryshimet e shpeshta ligjore, dimensioni i sektorit publik); *burokracia në administratën publike; *barra e taksave të larta (taksat, sigurimet shoqërore, tarifat); *evazioni fiskal; *përdorimi i gabuar nga ana e shtetit i taksave të produktit; *përqindja e lartë e të vetëpunësuarve në krahasim me sipërmarrësit që ofrojnë punë; *koshienca e paplotë dhe vlerat e munguara të drejtuesve të qeverisë dhe administratës publike lidhur me ekonominë; *ekzistenca e parave të pista që mund të vijnë nga prodhimi dhe trafikimi i drogës apo narkotrafiku, prostitucioni, trafiku i armëve, shpërdorimi i fondeve publike etj.; *pandëshkueshmëria e shkelësve të ligjit.

Dhe ekzistenca e ekonomisë së nëndheshme në nivele sot të paimagjinueshme në vendin tonë, vjen për shkak të politikave të gabuara, të ideuara keq dhe të dështuara në praktikë, teksa masat e politikave ekonomike prekin vetëm ata që nuk janë pjesë e ekonomisë së nëndheshme, apo ekonomisë së zezë.

Për rrjedhojë ruajtja dhe funksionimi i kësaj ekonomie paralele (ekonomisë së nëndheshme) përveç efekteve anësore që sipërpërmenda konsiston në shmangie të taksimit të drejtpërdrejtë, në shpërndarje të padrejtë të barrës tatimore, në deformime të sjelljes konsumatore të qytetarëve dhe të termave të konkurrencës së sipërmarrjeve që funksionojnë legalisht, përballë atyre që shkelin ligjin.

Shkalla e lartë e ekonomisë së nëndheshme, fakti pra që një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik nuk regjistrohet nga institucionet zyrtare shtetërore, sjell për pasojë që produkti kombëtar i cili shfaqet në shifra kombëtare, të jetë seriozisht i nënvlerësuar.

Kjo nënkupton se qeveria ka hartuar një plan jorezultativ të objektivave të politikave ekonomike, pasi ekonomia e nëndheshme mund/i të mposhtë sot në Shqipëri çdo lloj mase politike të ndërmarrë dhe të mbështetur mbi ekonominë zyrtare.

Gjithashtu, funksionimi i ekonomisë së nëndheshme jashtë kuadrit në fuqi të tregut dhe ligjeve, solli për pasojë konkurrencë të pandershme dhe hiperfitime, çoi në përkeqësim të ritmeve të zhvillimit të ekonomisë dhe në konkluzione të gabuara, mbi të cilat po hartohen sot politikat ekonomike që mendon të ndjekë në vazhdimësi “Rilindja”.

Ndaj dhe konkludoj se shqiptarët kanë një arsye madhore sot, të largojnë qeverinë e ekonomisë së nëndheshme dhe të vendosin në qeverisjen e vendit, teknicienë, shqiptarë të ndërgjegjshëm për misionin që do të ndërmarrin për ta nxjerrë Shqipërinë nga kolapsi ekonomik, tendenca recesionare dhe agonia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme