Kush prej nesh e ka personale?!

Prishtinë | 18 Nën 2023 | 15:46 | Nga Dardan Molliqaj

PSD është detyruar të përballet me akuzën për kritikë irracionale ndaj pushtetit. Tash e sa vite. Inat nga e kaluara. Hatërmbetje personale. Hesape të pambyllura mes shokëve. Këto ishin reagimet në bllok. Koha ishte e tij. Rrjedha e natyrshme e ngjarjeve. Por, ne jemi në të drejtën tonë.

Ju lus për vëmendje! Kush e ka këtu personale?!

Janë dy grupe kryesore që flasin kundër Asociacionit. Njëri grup thotë se Asociacionin jemi të detyruar ta zbatojmë, dhe s’kemi kah ia mbajmë, por, duhet shfrytëzuar momenti për ta kritikuar Kurtin. Për ta dëmtuar Kurtin. Oportunizëm i pastër. Kurti dikur e ka kundërshtuar. Ai sot po e zbaton. E qesin përpara imazhin e Astrit Deharit. Këtu hyjnë të gjitha partitë opozitare dhe shumica e opinionistëve.

Grupi tjetër thotë se Asociacioni ka qenë dhe është problem në vetvete. Ka shumë rëndësi kush po e zbaton, por më e rëndësishme është pasoja e tij, fakti që ai është përmbajtje e ndarjes etnike dhe platformë konflikti për të ardhmen.

Të parët Asociacionin e shohin si argument kundër Kurtit, pra si mjet. Në anën tjetër, ne themi se një procesit politik, secilit proces politik i humb vërtetësia kur ai instrumentalizohet. Është Asociacioni në vetvete problemi. Kush e ka këtu personale?!

Paradoksalisht, përmes mënyrës tonë realizohet më mirë edhe qëllimi i të parëve. Vetëm kur je i bindur në vërtetësinë e çështjes ka me pas mprehtësi kritika dhe zell angazhimi. Kurti dëmtohet nëse të pengon Asociacioni. Asociacioni nuk dëmtohet nëse të pengon Kurti.

Kush e ka këtu personale?!

Të ngjashme