Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit.
Në aktgjykim, Kushtetuesja ka konstatuar se nuk është saktësuar dhe dëshmuar konflikt në mes të kompetencave kushtetuese të presidentit dhe Kuvendit.
Thaçi i ishte drejtuar Gjykatës me pretendimin se ka paqartësi rreth kompetencës për ratifikimin e shkëmbimit të letrave në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë drejtim, presidenti pretendonte se nuk e kishte të qartë nëse letrat e shkëmbimit mes tij dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë “duhet të ratifikohen në cilësinë e Marrëveshjes Ndërkombëtare, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve apo duhet të konsiderohen të ratifikuara pas nënshkrimit nga presidenti, për shkak të ndërrimit të rolit dhe mandatit ekzekutiv të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, pasi që tani e tutje do të ketë rol kryesisht këshillëdhënës dhe monitorues”.
Në aktvendimin për papranueshmëri, Gjykata ka thënë se ky ishte rasti i parë me kërkesë për vlerësim të pretendimit për “konflikt” në mes të kompetencave kushtetuese.
Në këtë drejtim, aty sqarohet se juridiksioni i Gjykatës për vlerësim të konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese është i karakterit preventiv, përkatësisht kontroll kushtetues “ex-ante”, por që nuk përjashton asnjë kontroll kushtetues “ex-post”.