Kushtetuesja gjen shkelje të së drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm, procedura për kthimin e pasurisë zgjati mbi nëntë vjet

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se është shkelur e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm në një rast që lidhet me kthimin e pasurisë së sekuestruar, duke vlerësuar se procedura gjyqësore ka zgjatur mbi nëntë vjet pa marrë një epilog përfundimtar.

Në aktgjykimin për rastin KI262/25, të parashtruar nga Behar Pruthi, Gjykata Kushtetuese e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt brenda një afati të arsyeshëm. Gjykata gjithashtu urdhëroi Gjykatën e Apelit që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit ta informojë Kushtetuesen për masat e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi.

Rasti lidhet me sekuestrimin e pasurisë së parashtruesit gjatë bastisjeve të kryera në vitin 2016, nën dyshimet për kontrabandim mallrash dhe shmangie të pagesës së detyrimeve doganore. Pas ngritjes së aktakuzës në vitin 2018 dhe dënimit në shkallën e parë në vitin 2019, Gjykata Supreme e ktheu lëndën në rigjykim në vitin 2022. Që atëherë, Gjykata Themelore ka nxjerrë pesë aktvendime për kthimin e sendeve të sekuestruara, duke arsyetuar se nuk ekziston një aktgjykim dënues i formës së prerë dhe se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen e mëtejshme të tyre. Megjithatë, pas ankesave të Prokurorisë, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim gjashtë herë.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se zgjatja e procedurës nuk mund të arsyetohet me kompleksitetin e rastit.

“Në rrethanat e rastit konkret, kohëzgjatja e procedurës prej më shumë se 9 (nëntë) vitesh është e paarsyeshme, për shkak se çështja e parashtruesit të kërkesës nuk rezulton të jetë e një natyre aq të ndërlikuar sa do të mund të justifikonte që procedura gjyqësore të mos përfundojë pas kaq shumë vitesh. Parashtruesi ishte relativisht aktiv në zgjidhjen e çështjes së tij, ndërsa gjykatat e rregullta, përmes një cikli të përsëritur të kthimit të lëndës në rigjykim, tashmë gjashtë herë në shkallë të parë, kanë treguar mungesë efikasiteti dhe kanë dështuar t’i japin një epilog përfundimtar kërkesës së tij për kthimin e pasurisë”, thuhet në aktgjykim.

Sipas Kushtetueses, përsëritja e vazhdueshme e procedurave ka cenuar të drejtën e parashtruesit për një proces të rregullt gjyqësor brenda afatit të arsyeshëm.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kohëzgjatja e procedurës në rastin e parashtruesit të kërkesës ka shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm. Gjykatat e rregullta duhet të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përmbyllur lëndën civile me prioritet, dinamikë të shtuar dhe brenda një afati sa më të shpejtë kohor, konform gjetjeve të këtij Aktgjykimi”, theksohet në vendim.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që procedurat në këtë rast të përshpejtohen dhe të përfundojnë pa vonesa të mëtejshme, duke garantuar respektimin e standardeve kushtetuese dhe atyre të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të ngjashme