Dorëheqja nga posti i presidentit ka qenë arsyeja që Gjykata Kushtetuese të ndërpresë procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për deklaratën e tij se qytetarët “s’janë të obliguar të respektonin vendimin e Qeverisë Kurti” për kufizim të lëvizjes në fillim të pandemisë së koronavirusit, në muajin mars.
Në një njoftim të Kushtetueses, theksohet se pasi që Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit dhe se nga deputetët e Kuvendit ishte kërkuar kushtetutshmëria e veprimit të Presidentit, “Gjykata më nuk ka rast para vetes”.
Më 23 mars, pak orë pasi Qeveria Kurti kishte vendosur për masat e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, presidenti Thaçi përmes një konference të jashtëzakonshme kishte thënë se vendimi ishte shkelje flagrante e Kushtetutës. Ai kishte thënë se vendimi për kufizim të lirisë së lëvizjes mund të bëhej vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai kishte deklaruar se institucionet nuk duhet të zbatonin “vendimin antikushtetues”.