Kanë kaluar tre muaj prejse 27 deputetë të Kuvendit të Kosovës hodhën nënshkrimet e tyre duke vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë politikë në Qeverinë e Kosovës.
Albulena Haxhiu, nga radhët e Vetëvendosjes, në emër të 27 deputetëve të partisë që përfaqëson në janar e dorëzoi në Kushtetuese vendimin, me të cilën kërkohej masë e përkohshme e pezullimit të vendimit për pagat deri në vendim të Gjykatës.
Pjesë e kësaj nisme ishin edhe tre deputetë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Vjosa Osmani, Ilir Deda dhe Korab Sejdiu.
Por, ndonëse ka kaluar afati i caktuar ligjor prej 60 ditësh, në Gjykatën Kushtetuese ende nuk kanë marrë ndonjë vendim lidhur me rastin, me pretendimin se kohëzgjatja e vendimmarrjes së Gjykatës në kërkesat e parashtruara nuk varet nga koha e parashtrimit, por nga kompleksi i rastit dhe përmbajtja e lëndës siç thonë ata.
Veton Dulaj, zëdhënës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri”, ka thënë se kohëzgjatja e vendimmarrjes së Gjykatës nuk varet nga koha e parashtrimit, por nga kompleksi i rastit.
“Kjo lëndë është ende në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata nuk ka marrë vendim. Kohëzgjatja e vendimmarrjes së Gjykatës në kërkesat e parashtruara nuk varet medoemos nga koha e parashtrimit të tyre, por nga kompleksi i rastit dhe përmbajtja e lëndës që duhet trajtuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Gjykatës.