Në ngërç ka mbetur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë përgjigje presidentit Hashim Thaçi, në pyetjet që lidhen me hisenë e përfaqësimit që subjektet politike kanë në këtë institucion.
Janë bërë më shumë se një vit prej kur rezultati i zgjedhjeve nacionale është certifikuar, kohë kjo kur u ka skaduar mandati anëtarëve të KQZ-së, ndërsa kreu i shtetit nuk i ka emëruar anëtarët e rinj. Fillimisht presidenti kishte insistuar të interpretoheshin në atë mënyrë normat, në funksion të ofrimit të hapësirës sa më të madhe në KQZ për subjektet në pushtet. Por më pastaj ishte hequr dorë prej kësaj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vetëm gjatë verës, Thaçi e ka adresuar në Kushtetuese një kërkesë, nëpërmjet së cilës ka kërkuar interpretim për vendet në KQZ që i takojnë secilit subjekt politik.
Tek të hënën Gjykata ka dhënë zyrtarisht përgjigjen.
“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113”, thuhet në një njoftim të Kushtetueses. “Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”.