Kushtetuta e Bosnjës vlerësohet si diskriminuese, kërkohet ndryshimi i saj

Prishtinë | 14 Dhj 2019 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Organizata “Human Rights Watch” e ka kritikuar dështimin e zyrtarëve të Bosnjës për t’i dhënë fund atij që e ka quajtur status i klasit të dytë për pakicat, i cili përmendet në kushtetutën e këtij vendi për çifutët dhe romët.

“Është mizore që një vend evropian e ka pasur një kushtetutë me të cilën i ka diskriminuar qytetarët e vet për 24 vjet”, tha Clive Baldwin, këshilltar i lartë ligjor në këtë organizatë.

Kushtetuta e Bosnjës është hartuar nga ekspertët evropianë dhe amerikanë si pjesë e Marrëveshjes së Dayton-it, e cila i kishte dhënë fund luftës së tmerrshme të viteve 1992-1995.

Sipas kësaj kushtetute, tri komunitetet kryesore etnike, boshnjakët, kroatët dhe serbët, janë më të privilegjuara se të tjerat, sepse cilësohen me ligj si “popuj kushtetues”.

Në anën tjetër, 17 komunitete të tjera pakicë hyjnë në grupin e “të tjerave”. Pjesëtarët e këtyre komuniteteve madje nuk kanë të drejtë as të kandidojnë për president apo për dhomën e lartë të kuvendit.

Dy qytetarë të këtyre komuniteteve kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kjo gjykatë e kishte miratuar ankesën e tyre. Megjithatë, autoritetet boshnjake ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për ta ndryshuar dokumentin kryesor të shtetit, shkruan “Free Europe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme