Kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi anulimin e seancës plenare të thirrur për të enjten, për t’i dhënë kohë opozitës të reflektojë – siç tha ai, – e për t’u kthyer në rrugën e arsyes.
“Duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të shërbimeve sekrete, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, tha Gramoz Ruçi.
Top Channel mësoi se, një gjë e tillë i është kërkuar mazhorancës edhe nga partnerët ndërkombëtarë, pas informacioneve për akte të dhunshme që mund të ndodhin gjatë protestës së thirrur nga opozita para Parlamentit, si dhe rrezikun e futjes me forcë në sallën plenare të institucionit.
“Përgjegjësia ime si kryetar i Kuvendit, si një institucion mbi palët, por edhe si qytetar i këtij vendi, nuk më lejon t’u jap mundësi keqbërësve, të cilët mund të përfitojnë nga kultura dhe dinjiteti i qytetarëve e deputetëve protestues, për të sulmuar institucionet e shtetit”, tha Gramoz Ruçi.
Sipas kryeparlamentarit, opozita ka konsumuar akte të pandodhura më parë në Kuvend, e megjithatë ka gjetur tolerancën e shumicës.
“Që opozita të synojë pushtetin në tavolinë, e për këtë të hedhë në erë rrugët e jetës demokratike, kjo nuk është normale. Si mundet opozita të kërcënojë Parlamentin dhe të organizohet për ta dhunuar atë?”, tha Ruçi.
Ruçi paralajmëroi se djegia e mandateve do të dëmtojë pikë së pari vet opozitën.
“Një opozitë që vetëvritet politikisht i bën vendit një dëm të madh. Një skenar i tillë, i padëgjuar, në dijeninë time, në asnjë rast të historisë së parlamentarizmit, është një lloj kamikazllëku politik që hedh në erë të zotët e punës, por dëmton padyshim rëndë të tërë mjedisin tonë”, tha më tej Ruçi.
Opozita ka të drejtën t’i bjerë murit me kokë, – tha Ruçi, – ndërsa shumica qeverisëse ka detyrën të mbrojë vendin nga debati i rrugës, pohoi në fund kryeparlamentari.