Kuvendi i Shqipërisë mirëpret Samitin e parë të Vajzave

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Fushata #Girl2Leader, do të mirëpresë mbi 1.500 vajza në aktivitete që zhvillohen në Shqipëri, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Bolivi, Kanada, Guine, Irlandë, Kenia, Liberi, Malajzi, Monako, Poloni, Rumani, Ruandë dhe Ukrainë, etj.

Në Shqipëri, deputetet Dhurata Çupi Tyli, Elona Gjebrea, Ogerta Manastirliu, Oriola Pampuri, Nora Malaj, Rudina Hajdari, Klajda Gjosha dhe Elisa Spiropali do të mirëpresin rreth 22 vajza të reja të moshave nga 15-21 vjeç, si pjesë e fushatës globale, e cila zhvillohet në pesë kontinente, drejtohet nga Forumi Global i Grave në Politikë (WPL) dhe që synon të inkurajojë vajzat adoleshente që të marrin në konsideratë pjesmarrjen e tyre në vendim-marrje.

Fushata është një mundësi e mirë për vajzat që të dëgjojnë histori frymëzuese të politikaneve gra, të mësojnë nga eksperiencat e tyre në politikë dhe në vendim-marrje. Programi i fushatës #Girl2Leader ndryshon nga shteti në shtet. Nëpërmjet video-konferencës vajzat do të mund të lidhen me njëra-tjetrën dhe me delegatët në vendet e tjera rreth globit.

Në Shqipëri, Samiti zhvillohet nën përkujdesin e veçantë të tre ambasadoreve të këtij Samiti, znj. Elona Gjebrea, N/Kryetare e Aleancës së Grave, Dhurata Çupi, deputete dhe Kryetare e Aleancës së Grave si dhe Znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe mbështetjes së jashtëzakonshme të 15 ambasadoreve mes tyre 8 deputete dhe 7 gra përfaqësuese nga shoqëria civile, akademia dhe media.

Samiti i parë i vajzave në Shqipëri, organizohet falë bashkëpunimit të ngushtë të Aleancës së Grave Deputete, Koalicionit për Arsimin në Shqipëri (ACE), Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë (ANYN), Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), dhe Parlamentit Rinor Tiranë. Ai do të ketë 5 sesione: fuqizimi i vajzave dhe grave në politikë; arsimimi i vajzave dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm; mbrojtja nga dhuna; eleminimi i pabarazive dhe diskriminimit gjinor.

Në mbyllje të tij do të miratohet edhe Rezoluta për të Drejtat e Vajzave në Shqipëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme