Kuvendi i Kosovës do të diskutojë të martën për rastin e Astrit Deharit, vendosi sot Kryesia e Kuvendit.
Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme me rend dite diskutimin rreth rastit të vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, derisa ndodhej në Burgun e Prizrenit, kanë votuar anëtarët e PDK-së dhe të LDK-së.
Por, Vetëvendosjes e cila qe sa kohë kërkon debat për këtë temë, e konsideron të paligjshme këtë seancë.
Aida Dërguti, nga kjo lëvizje, tha për gazetarët se thirrja e kësaj seance është e jashtëligjshme, pasi është dashur të procedohet me nënshkrimet e qytetarëve, të cilët për këtë qëllim kanë nënshkruar një peticion.
“Kjo që bënë sot është e jashtëligjshme pasi nuk është proceduar me nënshkrimet e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së. Këto nënshkrime janë të jashtëligjshme se ato nënshkrime janë të pa protokolluara nga kuvendi. Unë kërkoj që peticioni i dorëzuar nga shoqëritë civile të procedurohet dhe në bazë të atij peticioni të bëhet seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë Dërguti.
Në anën tjetër shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tregoi që PDK-ja dhe LDK-ja kërkuan që të diskutohet rasti i Deharit
“Menduam që nesër është momenti më i mirë për të bërë debat pasi në atë kohë kur kërkohej nuk kishte informata nga obduksionet dhe nuk kishte rezultate nga mjekësia ligjore”, tha Pajaziti.
Ai tha se nuk kanë dyshime në organet e drejtësisë dhe se besojnë se këtë rast do të shqyrtohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pajaziti tha se po presin ende nëse do kthehet një përfaqësues i LVV-së. Pajaziti tha se janë 40 deputetë të cilët kanë nënshkruar këta kërkesë dhe tha se këtë e ka parë edhe Aida Dërguti, dhe sipas tij, kjo është e protokolluar.
AAK-ja e pavendosur nëse do të marrë pjesë në seancën për Deharin
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, tha se në AAK ende nuk është vendosur nëse do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për aktivistin e Vetëvendosjes, Astrit Deharin.
Lekaj tha se koalicioni PDK-LDK i ka mbledhur 40 nënshkrime, por sipas tij, ajo që vlen të theksohet është injorimi i peticionit të qytetarëve.
“Ne kemi menduar si AAK të mos procedohen 40 nënshkrime të koalicionit qeverisës, unë personalisht propozova që seancë e jashtëzakonshme të thirret në bazë të 23 mijë nënshkrimeve të cilat janë dorëzuar në kuvend, por që kjo nuk u miratuar dhe vazhduan me nënshkrimet e deputetëve”, tha Lekaj.
Ai ndër të tjerash tha se do të kërkojë që më 22 dhjetor kur do jetë edhe seanca e radhës interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa për murin në Mitrovicë.