Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2023 ka dështuar t’i zbatojë disa nga aspektet kyçe për funksionim të mirëfilltë, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në pajtim me kërkesat ligjore dhe të Rregullores së Kuvendit. Kështu u tha në konferencën për media nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), raporton Ekonomia Online.
Gjatë prezantimit të raportit me titull “Kuvendi i Dështimeve”, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se puna e këtij institucioni është karakterizuar nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrja e kundërligjshme, nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së kuvendit.
Më tutje, ai tha se puna e Kuvendit, është përcjellë edhe nga gjuhë joparlamentare, gjuha seksiste, raciste, mizogjene dhe gjuha homofobe, në ndërkohë gjatë vitit 2023 përfaqësuesit e qytetarëve u përplasën fizikisht gjatë punimeve në seancë plenare.
Jakaj ka theksuar se, Kuvendi ka zhvilluar punime pa planifikim adekuat, ku në krahasim me vitin paraprak, Kryesia e Kuvendit kishte autorizuar draftimin e planeve për sesione, këtë vit, një propozim i tillë nuk u diskutua fare.
“Kjo për pasojë pati edhe fenomenin e vazhdueshëm të mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës, mosefikasitet që u bartë nga një vit në tjetrin”, tha Jakaj.
Sipas tij, Kuvendi e nisi vitin 2023 me tetë seanca plenare të papërfunduara nga vitit 2022, me gjithsej 54 pika të rendit të ditës, në ndërkohë viti 2023 u përmbyll me 30 pika të papërfunduara të cilat u bartën në vitin 2024.
Ndërsa, në anën tjetër, sipas Jakajt, ky mosefikasitet prodhoi 39 vazhdime të 23 seancave të rregullta të cilat nuk arrinin të përfundonin në kohë për arsye të mungesës kronike të kuorumit, fillimisht nga shumica parlamentare, e më pas edhe nga mungesa e deputetëve thirrës të këtyre seancave, kryesisht opozitës parlamentare.
IKD po ashtu ka gjetur se gjatë vitit 2023, Kuvendi keqpërdori mekanizmin e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës.
Në raport me kundërkushtetutshmërinë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe atë për Zyrtarët Publikë, rrëzoi në tërësi Ligjin për Këshillin Prokurorial.
“Ligje për të cilat IKD kishte dhënë komente dhe kishte publikuar analiza se miratimi i tyre ashtu siç i kishte sjellë Qeveria ishin në kundërshtim me Kushtetutën”, theksoi ai.
IKD ka gjetur se, Gjykata Kushtetuese, po ashtu rrëzoi Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg dhe Vendimin për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Në një rast, sipas IKD Gjykata Kushtetuese vlerësoi se është në përputhje me kushtetutën, Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, thirrja e seancës së dt. 13 korrik 2023 nga Kryetari i Kuvendit dhe Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Sipas IKD, Kuvendi i Kosovës, injoroi edhe vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile në lidhje me miratimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.
“Kuvendi miratoi këtë ligj në kundërshtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili për dispozita të njëjta në vitin 2019 e rrëzoi atë pjesërisht. Ligji përfundoi në gjykatë për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e tij nga grupi parlamentar i PDK-së. Kuvendi, injoroi po ashtu edhe komentet e shoqërisë civile për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku prej disa vërejtjeve siç është ajo për kuotën gjinore, ligji u dërgua në GjK nga Avokati i Popullit”, tha tutje Jakaj.
Sa i përket kundërligjshmërisë, IKD gjen se Kuvendi vendosi në rend të ditës miratimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente me furnizimin e energjisë.
“Edhe pse një vendim i tillë ishte proceduar brenda afateve të parapara me Ligjin për Energjinë, ky vendim tejkalonte periudhën maksimale prej 180 ditëve që Kuvendi mund t’i jepte autorizime Qeverisë. Rasti i dytë që lidhet me kundërligjshmërinë është ai me rastin e miratimit të Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ku Kryesia e Kuvendit procedoi kundërligjshëm miratimin e këtij raporti, në anën tjetër edhe Kuvendi miratoi këtë raport duke qenë në dijeni për kundërligjshmërinë e këtij raporti”, tha Jakaj.