Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar ligjin për Akademinë e Drejtësisë, të hartuar dhe sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Përmes miratimit të këtij Ligji, Ministria e Drejtësisë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për avancimin e mëtejmë të legjislacionit të fushës së drejtësisë, në pajtim me standarde më të avancuara, për të garantuar një sistem transparent dhe llogaridhënës të drejtësisë në vendin tonë.
Sipas këtij Ligji, Instituti aktual Gjyqësor i Kosovës, do të avancohet në nivel të Akademisë dhe do të jetë institucion i pavarur dhe përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe edukimin e lartë ligjor, ngritjes dhe avancimit të kapaciteteve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
Funksionet themelore të Akademisë së Drejtësisë do të jenë aftësimi për gjyqtarë dhe prokurorë, për stafin administrativ gjyqësorë dhe prokurorial, si dhe organizimin e trajnimeve të vazhdueshme për avancimin profesional të profesioneve të lira si avokat, noter, ndërmjetësues, përmbarues. Hartimi dhe finalizimi i këtij ligji është bërë në koordinim dhe bashkëpunim me të gjithë akterët relevant vendorë dhe ndërkombëtarë.