Me 67 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve Ngjitëse, raporton Ekonomia Online.
Këtë Projektligj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e quajti të rëndësishëm për qytetarët.
“Besoj është e vetëkuptueshme për profesionistë dhe ju deputetë se sa i rëndësishëm është ky ligj për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Këto 3 vitet e fundit jo vetëm në Kosovë por edhe në botën rregullative, praktikat e kësaj fushe janë revolucionarizuar dhe transformuar rrënjësisht. Paraprakisht, këto sisteme u sfiduan nga rrethanat e pandemisë dhe shumë prej tyre dështuan. Hierarkia institucionale, rrugët e ndërveprimit, përgjegjësitë, respektimi i të drejtave të pacientit, i të drejtave në tërësi, i mbrojtjes së qytetarëve dhe një mori procedura profesionale me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve janë vetëm disa prej adresimeve që rregullohen direkt dhe indirekt me këtë ligj”, tha Vitia.