Me 64 vota për dhe një abstenim deputetët kanë miratuar Projektligjin për Prokurorin e Shtetit.
Mirëpo shqyrtimi i amandamenteve të shqyrtuara nga komisioni funksional ka nxitur debat mes deputetëve, raporton Ekonomia Online.
Korab Sejdiu nga LDK-ja, tha se kompetencat që do të marrë prokurori I shtetit duhet të sqarohen, diskutohen në procedura të rregullta dhe jo të përshpejtuara, sepse sipas tij duhet të dihet saktë funksioni që do të ketë kryeprokurori pas kësaj kompetence.
“Janë shtuar disa dispozita të tjera të këtij Projektligji. Këtu kemi të bëjmë me shtim të një kompetence serioze për kryeprokurorin. Nuk është mënyra e duhur me traju në këtë Projektligj, nëse besohet se duhet të jepet një kompetencë e tillë kryeprokurorit të bëhet në procedura të rregullta dhe jo në procedura të përshpejtuara. Duhet të dihet qartë se cili është funksioni dhe roli që merr tashmë kryeprokurori”.
Hajdar Beqa nga PDK dhe nga komisioni për Legjislacion, tha se kjo kompetencë lehtëson punën e kryeprokurorit dhe zgjidhjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura.
“ Asnjë prokuror nuk mund të shqyrtojë një lëndë për 30 ditë dhe për këtë ia kemi lënë që kryeprokurori ta zgjedh se kujt të ia jap një lëndë. Kjo është propozuar nga komisioni”.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, e cila është deputete e LVV-së, tha se kjo kompetencë për Kryeprokurorin e Shtetit dobëson Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili sipas saj ka kompetenca për emërimin, riemërimin e prokurorëve dhe kjo kompetencë përbën shkelje të kushtetutës.
“Nëse nuk e kemi të qartë se pse po i duhet kjo kompetencë shtesë, kemi provuar të marrim informacione se cili është qëllimi, ka dallime edhe ndërmjet prokurorëve që kryejnë punën në zyrën e Aleksandër Lumezit. Shkelje e kushtetutës është, sepse kushtetuta e specifikon se KPK sqaron se është organi kompetent për të emëruar, riemëruar prokurorët. Ka një temdencë për të dobësuar Këshillin Prokurorial dhe për ta fuqizuar një individ, kjo nuk duhet lejuar dhe duhet të mbështeten amandamentet e Korab Sejdiut”, ka thënë Haxhiu.
Armend Zemaj, nga LDK-ja, tha se nëse fuqizohen kompetencat e kryeprokurorit duhet të dimë se mbi cilën arsye ka ardhur deri të shtimi i kësaj kompetence.
“Nëse ne nuk duhet ta fuqizojmë kryeprokurorin, nëse Kuvendi vendos që kryeprokurori të ketë kompetenca shtesë, ne duhet të dimë mbi bazën e cilës arsye ka ardhur te shtimi i kësaj kompetence”.
Hajdar Beqa, nga PDK-ja tha se kjo kompetencë nuk e dobëson Këshillin Prokurorial, por vetëm kryeprokurori do të caktojë lëndët brenda 30 ditësh duke i dhënë një lëndë një prokurori.
Tek amendamenti i parë versioni B u miratua, i cili ishte propozuar nga Korab Sejdiu që të mbetet Ligji si ashtu siç është, pa kompetenca për kryeprokurorin.
“Amandemnti 1 ka dy propozime,1.a dhe 1.b, pjesa 1,b është të lihet Ligji si është në fuqi, kryeprokurori mundet me marrë një lëndë vetëm në raste specifike, kur ka paaftësi prokurori, apo konflikt interesi në rastin që ka prokurori. Nëse votohet amandenti 1.a, i shtohet një kompetencë kryeprokurorit të shtetit”.
Versioni i dytë i amandamentit të parë i propozuar nga deputeti Korab Sejdiu, që kryeprokurori të marrë një lëndë vetëm në raste specifike, u miratua nga deputetët me 46 vota për, 24 kundër dhe 4 abstenime.
Mirëpo sipas deputetit Korab Sejdiu, amandamenti i dytë i propozuar nga komisioni bie ndesh me kushtetutën, pasi caktimi i prokurorit special është kompetencë e KPK-së e jo i kryeprokurorit.
“T’i jepet mundësia kryeprokurorit të caktojë Prokurorinë Speciale sipas nevojave urgjente. Kjo është kompetencë e KPK-së dhe nëse mendojmë me ia dhënë kryeprokurorit e bëjmë, por duhet të bëhet në procedura të rregullta ndryshimi i Lligjit e jo ne procedura të përshpjetuara”.
Amandamenti i propozuar nga deputetja Albulena Haxhiu lidhur me atë që ministria e Drejtësisë të nxjerrë një ligj për rregullimin e stafit dhe amandamenti për bashkëpunëtorët profesional u miratuan nga deputetët. Mirëpo, jo të gjithë deputetët ishin të një mendimi për rëndësinë e bashkëpunëtorëve profesional.
Është miratuar varianti A, pa përkrahjen e komisionit, i propozuar nga Albulena Haxhiu,“ Obligimet e MD-së në nxjerrjen e një Ligji të veçantë që do rrgullonte stafin në gjykata dhe prokurori”.
Shkumbin Demaliaj nga AAK-ja, duke folur lidhur me propozimin për bashkëpunëtorët profesional për të ndihmur punën e prokurorëve tha se ky propozim ngarkon buxhetin e Kosovës.
Ndërsa Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, i replikoi deputetit Demaliaj duke i thënë se pse kur është marrë vendimi për rritje të pagave nuk ka pasur reagime se po rëndohet buxheti I Kosovës, por “pikërisht në një propozim të rëndësishëm për vendin po reagohet për rëndim të buxhetit”.
Ky amandament është miratuar me 55 vota për, 6 kundër, 3 abstenime.