Pasi kryeministri i vendit nuk mori pjesë në Kuvend dhe nuk është i pranishëm për të filluar me interpelancat e thirrura për të, kryetarët e Grupeve Parlamentare propozuan që të themelohet përbërja e Komisionit hetimor për çështjen e deportimit të 6 shtetasve turq, dhe për Formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave. Ata kërkuan që të përfundohen edhe këto dy pika e pastaj të fillohet me interpelanca dhe pikat e tjera.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se kryeministri ka kërkuar që sot mos të fillohet me interpelancë për shkak të agjendës së tij, raporton Ekonomia Online.
Por Glauk Konjufca nga LVV-ja shprehi pakënaqësinë e tij për mospjesëmarrjen e kryeministrit Haradinaj, i cili tha se ai duhet të japë përgjegjësi para deputetëve dhe, sipas tij, nuk ka punë më të rëndësishme sesa raportimi në Kuvend. Ai tha se deri të premten është mirë të përfundohen interpelancat.
Dardan Sejdiu, nga GDP-ja propozi që të vazhdohet në ora 17:00 me rend të ditës, ndërsa interpelancat të diskutohen kur kryeministri të jetë prezent.
Ai po ashtu propozoi që këtë javë të përfundohen këto interpelanca në mënyrë që t’u jepet hapësirë diskutimit të temave dhe ligjeve të tjera.
“Të vazhdojmë me seanca në ora 17:00, e kur është kryeministri këtu vazhdojmë interpelancat, këtë javë t’i përfundojmë seancat”.
Edhe Sejdiu e konsideroi papërgjegjësi mospjesëmarrjen e kryeministrit Haradinaj në Kuvend.
Xhavit Haliti tha se Grupet Parlamentare mund të propozojnë që të diskutohet vetëm 5 minuta dhe jo 10, të shkurtohet koha e diskutimit në mënyrë që debatet të kryhen më shpejt.
“Të shkurtojmë kohën, sepse gjysma e diskutimeve shkojnë elektorale e jo në temë, nëse ju GP mundeni me propozu për me reduktu kohën. Të shkojmë në pauzë më mirë se nuk ka kuorum me votu, e pastaj të kthehemi me votu ato çka propozoi Avdullah Hoti”.