Kuvendi shpall gjendjen emergjente të energjisë në Kosovë, legjitimohen reduktimet

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka shpallur gjendje emergjente të energjisë në vend, duke miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.

Vendimi u miratua nga ana e deputetëve me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Me shpalljen e gjendjes emergjente të energjisë elektrike në Kosovë, është bërë i ligjshëm edhe reduktimi i energjisë.

Vendimi parasheh themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë.

Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin.

Faktor tjetër që është përmendur në arsyetimin e Qeverisë është edhe rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Si pasojë e konsumit të shtuar për ngrohje, Qeveria ka thënë se mund të paraqiten disa pasoja si: armortizimi i aseteve, mosbalanc në sistemin interkonektiv, vërejtje nga ENTSO-E.

Me këto masa, obligohet Korporata Energjetike e Kosovës të disbursojë subvencionet e Qeverisë për qëllim të importit të rrymës.

Aprovimi i vendimit mundëson zbatimin e masave menjëherë, por vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi.

Ky i fundit për shtatë ditë nga pranimi i vendimit të Qeverisë, ka të drejtë ta refuzojë miratimin e tij duke i ndërprerë masat e aprovuara dhe të ndalojë gjendjen e emergjencës.

Vendimi parasheh masa për 60 ditë, por Kuvendi mund ta vazhdojë edhe për periudha tjera, me shumicë të votave të deputetëve që janë të pranishëm në seancë.

Afati më i largët që ka të drejtë ta shtyjë Kuvendi i Kosovës është 180 ditë shtesë.

Të ngjashme