Në mungesë të kuorumit për shkak të mosvotimit të opozitës, Komisionin për Buxhet dhe Financa, nuk ka kaluar raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, ku u shqyrtuar tre muajt e fundit të vitit 2018, raporton Ekonomia Online.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka prezantuar raportin vjetor të shpenzimeve, sipas të cilit, janë 8 milionë euro shpenzime për vitin 2018.
“Shpenzimet për vitin 2018 janë mbi 8 milionë, paga mëditje, mallra shërbime, shpenzime komunale, subvencione transfere, shpenzime kapitale. Mjetet e ndara për pavarësi 100 mijë euro nuk janë shpenzuar fare, sepse nuk ka pasur kërkesa. 10 komisione të përhershme kanë 10 mijë euro buxhet. Në fund të vitit kemi arrit me i ndryshuar disa kontrata”, tha Krasniqi.
Ai bëri të ditur se të gjitha udhëtimet zyrtare të deputetëve i merr përsipër Kryesia e Kuvendit. Sipas Krasniqit, rekomandimet e auditorit janë krejtësisht të zbatuara.
“Të gjitha udhëtimet zyrtare i merr kryesia e kuvendit. Aty planifikohet formati i delegacionit dhe qëllimi i udhëtimit. Disa deputetë ende nuk kanë hapur adresat zyrtare e ne si administrate komunikojmë vetëm me adresa zyrtare. Rekomandimet e auditorit janë 100% të zbatuara. Staf mbështetës i kryetarit të kuvendit janë 17”, shtoi Krasniqi.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Lumir Abdigjiku, e ka quajtur të paarsyeshme shpenzimin e 60 mijë eurove vetëm për tre muaj, nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit për udhëtime jashtë vendit.
“A keni një listë të subvencioneve që janë dhënë për kuvendin, sepse mbi 120 mijë euro janë shumë e madhe. Unë i kam mbledh shpenzimet dhe udhëtimet e deputeteve, ata në bileta 46 mijë euro, mbi 30 mijë euro mëditje, mbi 20 mijë euro akomodim, d.m.th. 90 mijë euro, ndërkaq stafi mbështetës politik i kryetarit të kuvendit mbi 60mijë euro. Në çdo udhëtim në Bruksel e në udhëtime të tjera ka kësi përcjellje. Këto më shumë duken si ekskursione. Mua më duken shumë këto shpenzime. Krahasimi i stafit politik që janë 17 dhe deputeteve 120, këto janë shpenzime tejet të mëdha”, tha Abdigjiku.
Edhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se është shqetësuese shpenzimi i 60 mijë eurove vetëm nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit.
“Këto udhëtime kryetari i kuvendit i ka bërë edhe pse është kryetar i PDK-së, d.m.th. e shfrytëzon edhe për nevoja politike të partisë. Është shqetësuese që vetëm kryetari dhe stafi i tij të shpenzoj gati sa gjithë deputetet. Është vetëm një kompani që i shet për kuvendin këto bileta dhe është shumë fish më shtrenjtë se biletat tjera”, tha Molliqaj.
Por ndryshe po mendon deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi. Sipas tij, 60 mijë euro për tre muaj është normale të jenë shpenzime nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit.
“Për mua është me rendësi zbatimi i rekomandimeve të auditorit. Po kërkoi nga ju dokument për zbatimin e rekomandimeve nga auditori. A ka ndonjë rregullore i cili është në fuqi për ndarjen e subvencioneve. Për mua nuk janë 60 mijë euro shumë për stafin e kuvendit kur e kemi parasysh që është niveli dy i vendit. Nëse e krahasojmë me ndonjë tjetër organizatë buxhetore çdo ministri i ka më të mëdha shpenzimet se zyra e kryetarit të kuvendit. Nëse e shikon edhe kryetari i shtetit edhe kryeministri i kanë shpenzimet më të mëdha”, tha Kuqi.
Deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, tha se do të ishte në rregull që të shihnin raportin e shpenzimeve për të gjitha institucionet si qeveria e ministrit
“Unë e kuptoj edhe pozitën edhe opozitën dhe është e logjikshme të shkojmë me tone kritikuese por jo në atë mënyrë që ta lëshojmë poshtë kredibilitetin e institucionit. Të gjitha vizitat e kryetarit të kuvendit kanë qenë publike”, u shpreh Hadergjonaj, raporton Ekonomia Online.