Ministri serb që ia ka harxhuar Kosovës 84 mijë euro për karburante

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Dalibor Jevtic vazhdon ta bojkotojë punën e Qeverisë që nga pranvera e 2018’s, por nuk ka hequr dorë nga paga dhe benefitet e tjera që sjellin dy pozitat që i ushtron njëkohshëm dhe prej të cilave ka thënë se ishte dorëhequr ajo e zëvendëskryeministrit dhe pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Gjatë gjysmëmandatit, si i vetëm në ministri ka shpenzuar 77,269.71 euro dhe 5,256.36 euro si zëvendëskryeministër, shkruan “Koha Ditore”.

Nga buxheti i Kosovës, shtetësinë e së cilës e kanë kontestuar ai dhe Lista Serbe, parti së cilës i takon, për 24 muaj ministri Jevtiq ka realizuar 58,809.76 euro si pagë. Veç këtyre, edhe 1,132.2 euro i ka arkëtuar si mëditje.

Ka bërë saktësisht 18,459.95 euro shpenzime përtej pagës. Vetura zyrtare me të cilën ka lëvizur ka shpenzuar gjithsej 7,383 litra derivate, kostoja për të cilat është 8,564.28 euro. Krahas kësaj, në tryezë i ka lënë 2,491 euro, sa janë shpenzimet e tij në dreka e darka zyrtare, si dhe ka faturë totale 1,536.63 euro të telefonatave në vlerë. Ai ka bërë edhe shpenzime nëpërmjet kredit kartelës, e cila u mundëson ministrave të kenë qasje në fonde publike – nga ajo ka shpenzuar 4,735.84 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme