Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka shqyrtuar raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2017.
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, theksoi se sipas raportit RTK-ja ka ushtruar veprimtarinë e saj në përputhje me rregullat që parashihen të respektohen. Ai ka shtuar se raporti duhet të miratohet nga deputetët, por me disa sugjerime
“Të gjeturat janë konfrom rregullave që televizioni ka vepruar dhe punuar, ka arritur objektivat për të cilat është aty edhe bordi. Ky raport me disa sugjerime që duhet të miratohen ne seancë dhe t’i jepet mundësi për vërejtjet tjera. Jemi në procedim të ligjit për RTK-në dhe presim ta miratojmë edhe vet dhe të jepet mundësia që RTK-ja të jetë konkurrent me televizionet e tjera”, tha Hasani.
Ndërsa deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, vlerësoi se përmbajtja e raportit është e njëjta me raportet paraprake, por tha se mirëpret përpjekjet e bordit për të bërë ndryshime në punën e RTK-së. Ajo bëri të ditur se partia e saj nuk do të votojë pro këtij raporti.
“Ky raport ndonëse në dukje të parë duket që është mirë, por kur e sheh përmbajtjen mbetet e e ngjashme me ate të viteve të më hershme dhe duhet përshëndetur disa përpjekje te bordit për të bërë ndryshime në punën e RTK-së, por për fat të keq RTK ende nuk drejtohet nga njerëz të profesionit, por nga politika dhe përderisa të vazhdojë kjo gjendja nuk do ndryshojë dhe do jetë e njëjtë”, tha Pantina.
“Vazhdon të ketë keqpërdorime të buxhetit kur meditjet tejkalojnë parashikimin dhe asnjëherë nuk kanë arritur as t’i planifikiojnë si duhet dhe ta plotësojnë atë që duhet.”
“RTK ende vazhdon të bëhet oazë e punësimeve partiake, familjarëve dhe vazhdojnë të promovojnë njerëz qe nuk i plotësojnë kriteret për pozita të caktuara. RTK çdo herë po përdoret hapsira e saj me shumë për promovime personale se sa një hapsirë që i dedikohet interesit të publikut”.
Pantina tha se politikanët dhe drejtuesit tjerë kanë filluar të zënë hapësira në RTK për aktrim dhe sport.
Rasim Selmanaj, i cili foli në emër të AAK-së, kërkoi votën për raportin vjetor të Televizionit Publik të Kosovës.
Por, bashkëpartiaku i tij, Muharrem Nitaj, tha se nuk ka qëndrim unik të AAK-së rreth këtij raporti. Ai tha se ka shumë probleme në RTK.
“Nuk do ta jap votën për këtë raport. Nuk është qëndrimi unik i AAK-së. Ka probleme shumë të mëdha RTK-ja. Nuk po dua t’i numëroj këtu, por po i përmend disa: duke filluar nga menaxhmenti, anshmëria politike, borxhi që ka RTK-ja, dikush thotë 4 (milionë), dikush 6 milionë, marketingu me kompensim e deri te kontratat e dyshimta e të dëmshme për këtë medium”, tha deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.